Lidhje

Ahrens: Zgjidhja e statusit të Kosovës ka përpara një rrugë të vështirë


Diplomati gjerman me përvojë Geert Ahrens, thotë se zgjidhja e statusit të Kosovës ka përpara një rrugë të vështirë. Nëse zgjidhja nuk pranohet në Kombet e Bashkuara, thotë ai, atëhere mund të kemi një konflikt të zgjatur dhe kjo do ta pengonte krejt evropianizimin e Ballkanit perëndimor. Zoti Ahrens ishte në Uashington për të paraqitur librin e tij të ri.

Ambasadori Geert Ahrens ka një përvojë të gjatë në Ballkan ku ka shërbyer në mjaft raste si ndërmjetës për zgjidhjen e ngatërresave ndëretnike. Fryt i kësaj përvoje është libri i tij "Diplomacia e rrezikuar" të cilin ai e paraqiti në Qendrën Woodrow Wilson për Studiuesit Ndërkombëtarë. Në libër ai flet jo thjesht për ngjarje por përshkruan me sytë e dëshmitarit okular përpjekjet zakonisht të vonuara ndërkombëtare për zgjidhjen e trazirave ballkanike. Ambasadori e di se përfundimet në të cilat arrin në libër vlejnë sidomos për Kosovën – e cila pret tani zgjidhjen e statusit.

Procesi i statusit nuk do të jetë i lehtë, parashikon zoti Ahrens në një intervistë. Natyrisht, nëse puna vjen tek njohja e njëanëshme e pavarësisë, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë të vetme në këtë njohje, do të ketë edhe vende të tjera, për shembull nga Bashkimi Europian.

"Por do të ketë vende të tjera që nuk do ta njohin Kosovën. Ndërkohë Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e OKB-së sepse kjo mund të pengohet nga vetoja. Gjithashtu, do të ketë marrëdhënie të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë sidomos në kufi. Në një farë mënyre, normalizimi i krejt Ballkanit dhe hyrja e tij në strukturat euroatlantike do të pengohet rëndë. Kosovës do t'i duhet të orientohet drejt perëndimit me anë të rrugës që po ndërtohet me Shqipërinë, në mënyrë që të ketë një zhvillim ekonomik normal".

Si e shpjegon zoti Ahrens faktin që Treshja Ndërkombëtare nuk po arrin ndonjë rezultat në ndërmjetësimin e saj? Ndërmjetësit nuk mund të arrijnë rezultat kur palët e kanë të pamundur të pajtohen në qendrimet e tyre, megjithëse Plani Ahtisari është një plan i mirë, thotë zoti Ahrens. Ish diplomati gjerman mendon se pa një njohje në Kombet e Bashkuara, rruga për Kosovën do të jetë e vështirë.

"Problemi është se nëse zgjidhja për Kosovën nuk pranohet në Kombet e Bashkuara, atëhere mund të kemi një konflikt të zgjatur, të ngrirë, sepse, në rast të shpalljes së pavarësisë në mënyrë të njëanëshme do të kishim një Kosovë të ndarë ku në veri të lumit Ibër do të ishin serbët në kontroll".

Ambasadori Ahrens mendon se një situatë e tillë nuk do të ishte e favorshme për asnjërën nga palët.

"Unë gjithnjë u them miqve të mij serbë se zgjidhja më e mirë për Serbinë do të ishte të pranohej në mënyrë miqësore një Kosovë e pavarur me të cilën të mbaheshin marrëdhënie të mira. Kjo do të bënte që të kishte siguri për monumentet fetare dhe kulturore serbe, të cilat duhet të mbrohen".

Ambasadori Ahrens thotë se tani është më pak optimist se më parë:

"Një ose dy vjet më parë do të kisha thënë se çdo gjë po zhvillohet mirë dhe se do të kemi një Ballkan Perëndimor të evropianizuar si dhe një fund të konfliktit. Ndërsa tani jam më i kujdesshëm në vlerësimet e mija. Ndoshta pas dy ose tre vjetësh ende do të kemi një situatë të pazgjidhur".

Ambasadori Ahrens ka patur rastin të punojë në të gjitha territoret ku jetojnë shqiptarët. Ai thotë se sot, shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar rreth një Shqipërie të madhe nuk ekzistojnë më, por disa incidente të dhunëshme mund t'i ringjallin ato.

"Ka rëndësi të kuptohet se shqiptarët në cilindo shtet qofshin duhet të qendrojnë në vendet ku janë, ta jetojnë jetën e tyre politike dhe t'i gëzojnë të drejtat në vendet e tyre përkatëse. I referohem sidomos Maqedonisë dhe rasteve të fundit të përleshjeve mes policisë maqedonase dhe shqiptarëve të armatosur. Kjo është diçka shqetësuese".

Tani për tani, thotë ambasadori Ahrens, kjo është diçka e izoluar por ka shumë rëndësi që të mos zgjerohet pasi do të dëmtonte Kosovën. //iç//

XS
SM
MD
LG