Lidhje

Zgjedhjet në Kosovë: Intervistë me Kryetarin e PDK-së Hashim Thaçi


Më 17 nëntor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato për pushtetin komunal, të cilat vlerësohen të rëndësishme edhe për shkak të periudhës politike në të cilën zhvillohen, kur Kosova është në prag të përmbylljes së procesit për zgjidhjen e statusit të saj politikë. Në një intervistë për Ditarin, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, shpalos pikëpamjet e tij për këto zgjedhje dhe zhvillimet aktuale në Kosovë. Zoti Thaçi thotë se ka marrë garanci nga udhëheqës të rëndësishëm botëror për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila sipas tij do të shpallet shumë shpejt pas dhjetë dhjetorit.

Zëri i Amerikës Z. Thaçi, Kosova ndodhet në dy procese mjaft të rëndësishme për të ardhmen e saj. Në njërën anë është procesi i statusit politik dhe në anën tjetër kemi zgjedhjet e reja në Kosovë. Si po bashkëjetojnë këto dy procese? A po përplasen me njëra-tjetrën?

Hashim Thaçi: Kosova është e përgatitur, është unike t’i përballojë këto dy procese në mënyrë të suksesshme. Sa i përket statusit politik, ne do ta respektojmë agjendën ndërkombëtare deri më datën dhjetë dhjetor. Do të ndodhin ato takimet në Vjenë e Bruksel e kryeqendrat e tjera ndërkombëtare. Pas datës dhjetë dhjetor, menjëherë, institucionet e Kosovës do të marrin vendimin për shpalljen e pavarësisë. Dhe, veç e kemi të siguruar njohjen kualitative ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës nga SHBA-të, shumica e shteteve të BE-së, vendeve përreth Kosovës. Ndërsa, sa i përket agjendës tjetër, asaj të funksionimit të demokracisë, është agjendë jetike për të dëshmuar se Kosova është e përgatitur, është gati të funksionojë si shtet i ri. Jemi duke organizuar një fushatë të qetë të lirë, demokratike, të konkurrencës së vlerave për më të mirën e vendit, për më të mirën e qytetarëve të Kosovës. Dhe, menjëherë pas zgjedhjeve do të kemi institucione demokratike, funksionale, efektive, efikase dhe do të fillojë agjenda e tretë, shumë e rëndësishme, ajo e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Zëri i Amerikës Z. Thaçi, e përmendët ekonominë, por, çfarë ju ofroni ju qytetarëve të Kosovës dhe përse ata duhet të votojnë pikërisht për ju?

Hashim Thaçi: Vota për Partinë Demokratike të Kosovës është votë për ndryshime, është votë për jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova është gati për ndryshime. PDK është e përgatitur për të udhëhequr vendin. Ka ekipe të tëra të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtarë. Do të thotë, i ka njerëzit, i ka projekte , e ka përkrahjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar për të filluar jetën e re në Kosovë, për të filluar zhvillimin ekonomik, për të bërë reforma në edukim, për të vazhduar me reforma në shëndetësi, që të kemi një shëndetësi me standarde evropiane. Që të investojmë në komunitetin e biznesit, të ketë lehtësira për punën e tyre, të krijohen rrethana shumë më të mira për krijimin e vendeve të reja punës, dhe PDK me koalicionin saj të gjerë politik, me partneritetin e ngushtë që ka me botën e biznesit, botën akademike, botën civile, me rininë, me studentët, me pensionistët, ka arritur të krijojë një lëvizje të gjerë mbështetëse politike e qytetare, të largohet nga profili i vetëm ideologjik dhe të jetë parti shtet formuese dhe shtet ndërtuese dhe adresa e sigurt për një të ardhme më të mirë, më të sigurt për qytetarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës Z. Thaçi , përmbushja e këtyre zotimeve kërkon një program mjaftë pretendues, dhe ju keni një program që duket mjaftë pretendues. Por, si të zbatohen dhe realizohen këto zotime me mundësitë që i ka Kosova, e që duken relativisht të vogla?

Hashim Thaçi: Kosova është vend, realisht, i mundësive të mëdha. Këto mundësi kërkojnë energji të reja, kërkojnë njerëz të ri, lidership të fortë e vendimmarrës, të gatshëm për ndryshime. Këto potenciale i ka PDK dhe partnerët e saj, mundësitë politike, mbështetjen e fuqishme qytetare, përkrahjen ndërkombëtare, e ka vizionin për të ardhmen dhe është e përgatitur të vazhdojë me agjendën e ndryshimit rrënjësor për të mirën e vendit për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Dhe orientimi im, prioriteti im është e sotmja dhe e nesërmja, dhe assesi të merremi me të kaluarën. Fitorja e PDK-së është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Zëri i Amerikës Z. Thaçi, t’i kthehemi dhe një herë çështjes së statusit politik të Kosovës. Ku ndodhet pikërisht ai dhe cili do të jetë vazhdimi i tij?

Hashim Thaçi: Realisht Kosova ka qenë e përgatitur për pavarësi qysh në qershor të vitit 1999. ndërkombëtarët janë vonuar, ndërsa tash nuk do të lejojmë që ky proces të ketë zhagitje të mëtutjeshme. Pas datës dhjetë dhjetor, definitivisht, do të caktojmë për një periudhë kohore se kur do të shpallet pavarësia. Kjo do të ndodhë në koordinim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, dhe, mund të them lirisht se Kosova është duke i kaluar javët e fundit të përgatitjeve për zyrtarizimin e pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Dhe, kur do të merret ky vendim? Sivjet? Vitin e ardhshëm?

Hashim Thaçi: Me rëndësi është se vendimi do të jetë plotësisht në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të sakrificës së tyre, dhe do të jetë vendimi meritor i dy milion qytetarëve të Kosovës. Ky vendim nuk do të jetë ndonjë befasi për komunitetin ndërkombëtare, sepse, tash, bashkësia ndërkombëtare veç është përgatitur ta njohë pavarësinë e Kosovës. Nuk do të jetë ndonjë befasi për botën demokratike. Do të jetë vendim unik i politikës dhe të gjitha qytetarëve të Kosovës. Pavarësia do të paraqes një mundësi unike për të ardhmen tonë dhe ky vendim do të nxirret, definitivisht, menjëherë pas datës dhjetë dhjetor.

Zëri i Amerikës: Dhe kjo do të ndodhë sivjet?

Hashim Thaçi: Menjëherë pas datës dhjetë dhjetor. Me optimizëm shumë të fuqishëm se do të ndodhë sivjet. //iç//

XS
SM
MD
LG