Lidhje

Për shëndetin: Dita Ndërkombëtare e Diabetit; Hapet e shtatzanisë dhe goditja në zemër


Dita Ndërkombëtare e Diabetit

Nesër shënohet për herë të parë nga Kombet e Bashkuara Dita Botërore e Diabetit, dhe ekspertët thonë se kjo sëmundje ka arritur nivele epidemike në shumë vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në Los Anxhelos, ekspertja e diabetit Dr. Francine Kaufman, kryetarja e fushatës “Diabeti tek fëmijët,” shpjegon dy llojet e diabetit, për të cilët ajo thotë se po përhapen në botën në zhvillim.

Ekspertët e shëndetit thonë se diabeti prek më shumë se 240 milionë vetë në të gjithë botën, dhe numri i tyre rritet çdo ditë.

Dr. Francine Kaufman thotë se shumë fëmijë preken nga diabeti i tipit 2, sëmundje që dikur shfaqej vetëm tek më të vjetrit. Ajo thotë se diabeti shkaktohet nga mënyra e jetesës, ushqimi me shumë kalori dhe yndyrë dhe mungesa e lëvizjes.

Ndryshe nga njerëzit me tipin një të diabetit, shumë prej atyre që kanë tipin dy nuk kanë nevojë për injeksione insuline. Tipi dy mund të kontrollohet përmes dietës, trajtimit dhe mbikqyrjes mjekësore. Nëse nuk trajtohen, të dy llojet mund të shkaktojnë humbjen e shikimit, të gjymtyrëve, dëmtimin e nervave dhe të veshkave. Ato mund të shkaktojnë edhe sëmundjet e zemrës dhe goditje cerebrale.

Tipi dy i diabetit është i parandalueshëm. Por Dr. Kaufman thotë se sëmundja po përhapet sepse shumë njerëz në vendet në zhvillim si India po futen në klasën e mesme.

“Ata qëndrojnë ulur në makina gjithë ditën. Hanë më shumë ushqim, shtojnë shumë peshë dhe u shfaqet diabeti.”

Dr. Kaufman thotë se zgjidhja duhet të jetë individuale për çdo vend dhe çdo pacient. Në Brazil, një klinikë dërgon punonjës shëndeti në komunitete për të informuar pacientët. Një ekip mjekësor në Indi diagnostikon diabetin tek njerëzit nëpër fshatra.

Diabeti i tipit dy thotë Dr. Kaufman, megjithëse po përhapet, është i parandalueshëm. Dhe ky, thotë ajo, është mesazhi për Ditën Botërore të Diabetit.

Hapat e shtatzanisë dhe goditja në zemër

Ndërkohë, studiuesit kanë zbuluar lidhjen mes nivelit të lartë të estrogjenit tek hapat kundër shtatzanisë me shtresën bllokuese të arterieve e cila mund të shkaktojë goditje në zemër. Megjithatë, doktorët nuk rekomandojnë që femrat t’i ndalojnë hapat kundër shtatzanisë.

Ndërkohë, një studim tjetër, ku morën pjesë më shumë se 2 mijë e 500 gra nga 35-55 vjeç që merrnin hapa kundër shtatzanisë me nivel të lartë estrogjeni, zbuloi se hapat rrisnin shtresën bllokuese të arterieve me 20-30 përqind për çdo 10 vjet që ato merreshin vazhdimisht. Ky rrezik vazhdonte edhe kur ato i ndalonin hapat.

Kardiologu Dr. Ernst Riçel drejtoi studimin.

“E dinim se ekzistonte rreziku i shtresave bollokuese gjatë kohës që merrje hapat. Por nuk e dinim se nëse hapat merreshin për një kohë të gjatë, atëherë ky rrezik vazhdonte edhe nëse do të ndaloje marrjen e tyre.”

Kardiologë të tjerë thonë se ky studim është i rëndësishëm për gratë dhe mjekët e tyre.

Dr. Mires thotë se gratë që marrin hapat kundër shtatzanisë duhet të kenë parasysh faktorët e tjerë të rrezikut ndaj sëmundjes së zemrës si duhanin, tensionin lartë, kolesterolin, dietën dhe mungesën e fiskulturës.

Dr. Riçel dhe të tjerë kanë kërkuar të bëjnë studime të tjera për të parë ndikimin e hapave kundër shtatzanisë me nivele të ulëta estrogjeni. //iç//

XS
SM
MD
LG