Lidhje

Ishinger: Treshja do të paraqesë propozimin për “statusin neutral”


Treshja ndërkombëtare që ndërmjetëson negociatat për statusin e Kosovës përgatitet t’u paraqesë palëve një propozim të ri të quajtur “status neutral”, që synon normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Komentet i bëri mbrëmë në Uashington për gazetarët përfaqësuesi europian në Treshen diplomatike, Wolfgang Ischinger.

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Treshen Ndërkombëtare, Wolfgang Ischinger i tha Zërit të Amerikës se propozimi i ri mund të çonte në një marrëveshje që do të normalizonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë por ku nuk do të thuhej asnjë fjalë e vetme për statusin. "Marrëveshja për “statusin neutral” do të ishte një ofertë ndaj të dyja palëve për të krijuar marrëdhënie, pavarësisht se çfarë mund të vendoset sot ose nesër për statusin e Kosovës. Mes Serbisë dhe Kosovës sot nuk ekzistojnë marrëdhënie pasi Kosova është nën administrimin e OKB-së ndërsa Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të saj, pra mes tyre nuk ekzistojnë përpjekje bashkëpunimi për asgjë."

Zoti Ischinger tha se Treshja ka qenë e suksesshme në punën për përgatitjen e këtij propozimi por, shtoi ai, është e paqartë nëse propozimi do të ketë dritën jeshile nga kryeqytetet përkatës. Nëse po, atëhere ai do t’u paraqitet palëve.

Zoti Ischinger tha se hollësitë përfundimtare nuk janë përpunuar ende por shtoi se kjo do të ishte një marrëveshje bashkëpunimi dhe konsultimi në një numër aspektesh, si ekonomia, tregtia dhe parandalimi i krimit. Për shembull, tha ai, në marrëveshje do të përcaktoheshin detyrime për Kosovën që ajo të konsultohej me Serbinë për çështjen e pakicave dhe të kufirit të përbashkët, gjëra që janë në interesin e të dyja palëve. "Mendoj se do të ishte shumë në interes të Serbisë, sidomos të serbëve në Kosovë, që të merrnin obligime nga autoritetet e Kosovës për mirëqenien e tyre. Ky ishte vetëm një shembull, por mendoj se ka interesa të rëndësishëm që mund të plotësohen përmes një marrëveshjeje të tillë të statusit neutral. Ajo që nuk mund të bëjë një marrëveshje e tillë është se nuk zgjidh mosmarrëveshjet mbi statusin. Por ne do të shikojmë se si do të reagojnë palët ndaj këtij propozimi."

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian e pranoi se ndërmjetësimi mes Prishtinës dhe Beogradit ka qenë një proces i vështirë dhe deri tani të gjitha propozimet janë hedhur poshtë. "Ne si treshe e kemi për detyrë të shqyrtojmë bashkë me palët, me Serbinë dhe me shqiptarët e Kosovës, çdo alternativë të mundëshme. Nëse modeli i Hong Kongut, siç u quajt ai, është i pranueshëm për të dyja palët, atëhere shumë mirë. Për fat të keq, deri tani, të gjitha propozimet interesante ose janë hedhur poshtë nga të dyja palët ose nga njëra palë dhe kjo e ka bërë shumë të vështirë punën tonë si negociatorë."

Zoti Ischinger tha se zvarritja e procesit nuk i intereson askujt. Shtyrjet nuk bëjnë që problemi të zhduket, u shpreh diplomati i Bashkimit Europian.

Zoti Ischinger tha se është e nevojshme që Treshja ndërkombëtare të bëhet më aktive në procesin e negocimit dhe të ushtrojë më shumë presion ndaj palëve. Ndërsa në dy muajt e parë të bisedimeve shtesë propozimet kanë ardhur nga vetë palët, tani janë ndërmjetësit ata që po dalin me ide të reja. Por zoti Ischinger e pranoi se propozimet duhet të jenë të peshuara mirë dhe të kenë shanse për sukses, përndryshe, tha ai, pozita e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë do të dobësohej.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Treshja përfundojnë më 10 dhjetor. Zoti Ischinger tha se nuk dëshiron të shprehë hamendje se çdo të ndodhë nëse përpjekjet e ndërmjetësimit dështojnë. "Kemi edhe plot një muaj përpara dhe unë nuk jam pa shpresë se mund ta zgjidhim këtë çështje. Mendoj se do të ishte mjaft në interes të Serbisë, të Kosovës, të Bashkimit Europian dhe të Rusisë që çështja të zgjidhet me bisedime."

Nëse procesi zvarritet, tha ai, barra do të binte kryesisht mbi Bashkimin Europian. Një konflikt i zgjatur, tha zoti Ischinger, nuk është as në interes të Rusisë. Por ai kërkoi që Rusia t’i bëjë presion Serbisë, një vend me të cilin ka marrëdhënie të ngushta. Pikëpamja ime, tha zoti Ischinger, është se nëse duam ta zgjidhim këtë çështje, duhet t’u bëjmë presion të dyja palëve. Pa presion nuk do ta zgjidhim dot. //ii

XS
SM
MD
LG