Lidhje

Zgjedhjet në Kosovë – Intervistë me Fatmir Sejdiun, president i Kosovës


Të shtunën më 17 nëntor, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato për pushtetin komunal, të cilat vlerësohen të rëndësishme edhe për shkak të periudhës politike në të cilën zhvillohen, kur Kosova është në prag të përmbylljes së procesit për zgjidhjen e statusit të saj politikë. Zëri Amerikës ka zhvilluar një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë për programin tonë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu shpalos pikëpamjet e tij për këto zgjedhje dhe zhvillimet aktuale në Kosovë. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, presidenti Sejdiu thotë se pavarësia e Kosovës do të shpallet shumë shpejt pas 10 dhjetorit ndërsa hedh poshtë çdo ide tjetër përfshirë edhe atë për një status neutral për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zoti President. Kosova ndodhet në dy proces mjaft të rëndësishme për të. Në njërën anë është procesi për statusin politikë dhe në anën tjetër ai i zgjedhjeve të reja që do të mbahen më 17 nëntor. Si po funksionojnë këto dy procese? A po bashkëjetojnë? A po përplasen?

Fatmir Sejdiu: Po, realisht, mirë e keni shtruar pyetjen dhe unë mendoj se janë dy procese që janë edhe sfiduese, janë edhe të gërshetit, janë edhe shumëçka të ngjashme që mund të quhet në pjesën e dilemave paraprake dhe të asaj se a është dashtë të shkohet në këto dy procese të mëdha në këtë periudhë apo jo, apo në realitet a është dashtë që të jepet vetëm me përparësinë e statusit dhe të mos shkohet në zgjedhje. Mendoj se ne kemi bërë analiza të thella për këto dy procese. Duke qenë në vazhdë të procesit të statusit, kemi menduar po kështu se edhe zgjedhjet mund të jenë një argument plus në dëshminë e Kosovës për gatishmërinë e saj për ecje si shtet sovran dhe i pavarur, veçanërisht në ndërtimin e institucioneve demokratike nga vota e lirë e qytetarëve. Dhe mendoj se gjithë kjo periudhë e gjertanishme e proceseve paraprake do ta quaja, apo paraelektorale ka dëshmuar se qytetarët e Kosovës janë jashtëzakonisht të pjekur, partitë politike kanë bërë një garë “fer” në të përgjithshmen. Me këto zgjedhje në kuadër të kësaj kohe kaq të ngjeshur në dinamikën e statusit, Kosova përcaktohet për një referendum të ri. Realisht është një rezultat që nxjerr vizionin e të gjithëve, pra shumësia e tyre janë të gjithë të përcaktuar për Kosovën e pavarur dhe sovrane, prandaj është një punë, po e quaj edhe e ndershme. Dhe paralelisht nuk kemi lënë anash në asnjë kohë dhe në asnjë moment çështjen e angazhimeve që ka të bëjë me statusin politik.

Zëri i Amerikës: Zoti President, i përmendët edhe bisedimet, kanë mbetur edhe dy takime deri në datën 10 dhjetor që mendohet të ketë fundi i procesit të shtesë të negociatave për statusin e Kosovës. Por çfarë pas kësaj date?

Fatmir Sejdiu: Ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë qasjen tonë në konstruktivitet të plotë në elaborim apo shterje të gjithë asaj që është e nevojshme rreth çështjeve që kanë të bëjnë me projektin tonë që e kemi ofruar dhe natyrisht përgjigjeve për çështjet që eventualisht janë shtruar apo mund të shtrohen në këtë vazhdimësi. Ne u kemi thënë edhe treshes edhe faktorëve ndërkombëtarë, flas vendeve të rëndësishme se Kosova nuk është e gatshme që pas dhjetë dhjetorit të ketë procese të tjera negociatore. Prandaj, ne presim që më dhjetë dhjetor të paraqitet, ashtu siç është paraparë, një raport tek sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Mendoj se ka qenë një kohë e duhur dhe e mjaftueshme që të analizohen të gjitha detajet e mundshme për ecjen e mëtejme të shpejtë për të përmbyllë suksesshëm çështjen e Kosovës pra mëvetësinë e saj apo respektimin e vullnetit të shumicës, ajo që është paraparë edhe me parimet e grupit të kontaktit dhe që është vullnet real i qytetarëve të Kosovës. Dhe po them që në këtë pjesë të koordinimeve të nevojshme që do t’i bëjnë institucionet e Kosovës dhe në këtë rast ekipi i unitetit, ne do të shkojmë edhe në hapin tjetër që është normal një hap i një verdikti të ri të themi apo një vendimi të marrë nga ana e Parlamentit të Kosovës për rikonfirmimin e pavarësisë së Kosovës dhe kërkimin për njohjen ndërkombëtare të saj.

Zëri i Amerikës: Dhe kur mund të ndodhë kjo? Sivjet? Vitin e ardhshëm?

Fatmir Sejdiu: Ne jemi të gatshëm që Parlamentin e Kosovës ta tubojmë në çdo moment. Por, jemi po ashtu koshient ndjenjës dhe përcaktimit tonë që këtë ta bëjmë në koordinim me miqtë e Kosovës, që iu kanë gjet Kosovës në orët më të liga që ajo ka pasur, që kanë investuar shumë në Kosovë në periudhën edhe pas intervenimit të NATO-s dhe që ashtu në të njëjtën kohë e mbështesin fuqishëm përcaktimin e Kosovës për pavarësi. Kjo mund të ndodhë për pak ditë pas dhjetorit. Unë s’mund të them se sa do të jetë data e saktë ende, por do të vijë ndoshta momenti jo i largët që do ta themi edhe këtë. T’ju them drejt se ne kemi pasur konsulta shumë të thella kohët e fundit me përfaqësuesit e vendeve më të fuqishme dhe natyrisht nuk dua të jap dhe të abuzoj në këto konsulta dhe në këto qëndrime që janë mbështetëse përgjithësisht për pakon e presidenti Ahtisaari që është dokumenti më i mirë dhe optimal për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj, Prandaj, do të jetë e nevojshme që të bëjmë vetëm edhe disa konkretizime ne hapin e mëtejmë për të mos e djegë procesin.

Zëri i Amerikës: Zoti President do të doja shkurtimisht, si i vlerësoni idetë e reja nga më të ndryshmet që dalin rreth procesit për zgjidhjen e statusit, përfshirë edhe idenë më të re për një, siç është thënë, status neutral?

Fatmir Sejdiu: Unë mund të them një përgjigje shumë të qartë se Kosova nuk është e gatshme të pranojë asnjë variant dhe asnjë pozicion apo asnjë status neutral, që thuhet, as mish, as peshk, por që realisht është e përcaktuar vetëm për pavarësinë e vet duke garantuar ecjen e Kosovës në standardet ndërkombëtare, duke garantuar në veçanti pozicionin e minoriteteve që ka brenda saj. Prandaj, idetë që në një formë, apo formë tjetër mund të jenë të një natyre të tillë nuk zgjedhin problemin. Janë ide që mbajnë pezull, që realisht japin shansin për një riciklim të konflikteve dhe të situatave të tensioneve që nuk janë në interes të askujt.

Zëri i Amerikës: Zoti President, t’u kthemi pak zgjedhjeve. Çfarë u ofroni ju qytetarëve të Kosovës dhe përse duhet të votojnë ata për ju, përkatësisht për LDK-në?

Fatmir Sejdiu: Mendoj se është çështje që ndoshta më tepër do të flasin edhe zyrtarët me obligime formale në Lidhjen Demokratike të Kosovës, por as unë s’mund të izolohem nga një përgjigje. Mendoj se është një subjekt politik jashtëzakonisht serioz që ka dhënë prova të shumta në periudha shumë të vështira dhe ka një çelës të veçantë të ecjes së Kosovës më tej. LDK ka zgjedhe një slogan dominant që është në gjithë posteret e kandidatëve dhe në pjesë të tjera të asaj që mund të quhet reklamë politikë e nevojshme, se “jemi në rrugë të drejtë”. Prandaj është në rrugë të drejtë dhe besoj se ajo është që rezulton me efiçencë në veprimin e saj edhe në kuadër të mekanizmave qeveritar, parlamentar dhe gjetiu. (ze)

XS
SM
MD
LG