Lidhje

Grupet e të drejtave të njeriut kritikojnë shkeljen e lirisë fetare në Egjipt


Grupet e të drejtave të njeriut po i bëjnë thirrje qeverisë egjiptiane të heqë kufizimet ndaj lirisë fetare për ata që nuk u përkasin tri feve të lejuara në këtë vend.

Basma Musa ka mbetur pa kartë identiteti që nga viti 2004, kur Ministria e Brendshme egjiptiane refuzoi t’ia lëshonte një kartë të tillë nëse ajo nuk ndryshonte fenë. Musa është egjiptiane e besimit Bahai, fe monoteiste që filloi në Iran në shekullin e 19-të. Musa thotë se zyrtarët i kishin thënë asaj se e kishin të ndaluar të jepnin karta identiteti për ata që nuk i përkisnin një prej tri besimeve të njohura: Islame, Kristiane dhe Hebraike.

Në një raport të ri, dy grupe për të drejtat e njeriut thonë se disa egjiptianëve po u mohohen shërbimet bazë për shkak të besimeve të tyre fetare, megjithëse kushtetuta e Egjiptit garanton lirinë fetare. Jo Stork, i organizatës Human Rights Watch dhe bashkë-autor i raportit shpjegon: “Ligji nuk thotë se duhet t’i përkasësh fesë Islame, Kristiane apo Hebraike. Ai thotë vetëm që kur të dhënat personale ndryshojnë, atëherë duhet të paraqesësh informacion të ri për kartën e identitetit. Pra, nuk duhet leje nga ministria për ta bërë këtë. Sipas ligjit, nuk duhet të ketë probleme.”

Megjithatë, në praktikë, thotë ai, zyrtarët e ministrisë së brendshme kanë zbatuar interpretimin e tyre të ligjit. Dhe personat më të prekur nga kjo praktikë kanë qenë ata të besimit Bahai dhe të konvertuarit nga feja Islame në atë Kristiane.

Feja shënohet në çertifikatat e lindjes në Egjipt dhe çdo person mbi moshën 16 vjeç duhet të ketë kartë identiteti që tregon edhe besimin e tyre fetar. Deri tani, personat e fesë Bahai e kanë shënuar besimin e tyre me fjalën “tjetër” ose e kanë lënë vendin bosh. Por gjatë viteve të fundit, zyrtarët nuk kanë pranuar t’u japin dokumenta besimtarëve të fesë Bahai nëse ata nuk heqin dorë nga kjo fe. Pasojat mund të jenë shumë të rënda, që nga humbja e punës dhe vendbanimeve dhe deri tek moslejimi i fëmijëve në shkolla.

Të prekur nga kjo politikë janë edhe të konvertuarit nga Islami në një fe tjetër, duke përfshirë të rikonvertuarit, ata që janë rritur si të krishterë dhe dëshirojnë të kthehen në fenë e tyre. Por zyrtarët nuk i kanë lejuar të rikonvertohen. Një çështje e re ligjore është ngritur kundër kësaj politike dhe vendimi pritet së shpejti.

Juristi Ramses El-Nagar thotë se shpreson të marrë lajme të mira. Ai thotë se shpreson që gjykata të vendosë që të konvertuarit të kenë të drejtën të kthehen në fenë e tyre fillestare, dhe që ligjet të garantojnë zbatimin e lirisë fetare. Organizata gjysëm-zyrtare, Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar heqjen e përkatësisë fetare nga kartat e identitetit dhe Jo Stork thotë se këto hapa do të ishin të mirëpritur.

Raporti i lirisë fetare është produkti i dy vjet pune dhe autorët thonë se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për t’u takuar me zyrtarët e Ministrisë së Brendshme pa marrë përgjigje. Ata thanë se më në fund u është dhënë mundësia për t’u takuar me zyrtarët e kësaj ministrie dhe shpresojnë të marrin rezultate pozitive nga ky takim. //ad//

XS
SM
MD
LG