Lidhje

Kryeministri Berisha pranon dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha pranoi sot dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmali, dhe prezantoi kandidatin që do e zëvendësojë atë zotin Enkelejd Alibej. Zoti Alibej me formim jurist ka mbuluar deri tani detyrën e drejtuesit të deparatmentit të antikorrupsionit dhe kontrollit të brendshëm në Këshillin e Ministrave.

Kreu i qeverisë Berisha duke vlerësuar veprimtarinë e ministrit Rusmali tha se pranoi dorëheqjen e tij ndonëse ai nuk ka patur asnjë lidhje përveç asaj familjare në përpjekjet e vëllait të tij për të marrë një tender.

Ministri Rusmali u akuzua nga ish drejtori i burgjeve pikërisht për faktin se vëllai i tij kishte ndërhyrë duke kërkuar favorizimin e një firme në një tender disa milion eurosh të organizuar nga Drejtoria e Burgjeve.

Po sot në Tiranë një numër i madh qytetarësh u mblodhën në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit shqiptar në një manifestim për pavarësinë e Kosovës. Aktiviteti është organizuar nga forumet rinore të forcave kryesore politike shqiptare dhe ka si synim të sensibilizojë komunitetin ndërkombëtar mbi të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të fituar pavarësinë.

Përveç deklarimeve dhe qëndrimeve të njohura zyrtare të Shqipërisë, kjo është e para formë e manifestimit public në mbështetje të kërkesës për përcaktimin sa më të shpejtë të statusit përfundimtar të Kosovës. (ze)

XS
SM
MD
LG