Lidhje

Pentagoni harton plane furnizimi në rast trazirash në Pakistan


Departamenti amerikan i Mbrojtjes thotë se po harton plane rezervë në rast se linjat e tij të furnizimit për forcat amerikane në Afganistan ndërpriten për shkak të një trazire civile në Pakistan. Një zëdhënës i Pentagonit tha dje se deri tani, rrugët kritike të furnizimit në Pakistan janë të hapura por Shtetet e Bashkuara po përgatiten për çdo të papritur.

Departamenti i Mbrojtjes thotë se ushtria amerikane i dërgon 75 përqind të furnizimeve për forcat e saj në Afganistan përmes Pakistanit ose përmes hapësirës ajrore pakistaneze. Kjo përfshin 40 përqind të karburantit që dërgohet për trupat. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 25 mijë trupa në Afganistan.

Zëdhënësi i Pentagonit, Geoff Morrell, thotë se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë rrugë alternativë në rast se kriza politike në Pakistan shkakton ndërprerjen e furnizimeve. "Po bëhen përpjekje qysh tani për të gjetur linja furnizimi për trupat tona në Afghanistan nëse lind nevoja për të ndryshuar rrugën me të cilën ne i pajisim trupat tona në Afganistan."

Zoti Morrell e bëri të qartë se deri tani nuk ka patur shenja që rrugët e furnizimit që kalojnë nga Pakistani të jenë prekur nga trazirat. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk dërgojnë municione përmes Pakistanit. Ai nuk tha se cilat rrugë alternativë po shqyrtohen.

Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf shpalli gjendjen e jashtëzakonëshme në fillim të këtij muaji, duke pezulluar Kushtetutën dhe arrestuar mijra demonstrues pro demokracisë. Shtetet e Bashkuara po rishikojnë ndihmat për Pakistanin, i cili ka marrë rreth 10 miliard dollarë që nga viti 2001.

Por zoti Morrell tha se ndihma ushtarake amerikane për Pakistanin nuk është ndërprerë. "Tani për tani ne nuk po e ndërpresim në asnjë aspekt ndihmën tonë ushtarake për Pakistanin, e cila përdoret për operacionet në luftën kundër terrorizmit. Kjo nuk do të thotë se ndihma nuk po rishikohet por dërgimi i kësaj ndihme nuk është ndalur pasi ne nuk dëshirojmë të bëjmë asgjë që do të rrezikonte shtetasit tani ose edhe shtetasit pakistanezë."

Zoti Morrell theksoi se Shtetet e Bashkuara e shohin Pakistanin si një aleat të rëndësishëm në luftën kundër terrorit. Ai tha se synimi i Uashingtonit është që Gjenerali Musharraf të rivendosë rendin demokratik. "Qendra e vemendjes së administratës dhe e departamentit të mbrojtjes tani nuk është ndëshkimi i Pakistanit por është ta ndihmojmë Pakistanin t’i rikthehet sa më shpejt rendit demokratik të bazuar te ligji."

Zoti Morrell tha se tani për tani Shtetet e Bashkuara nuk kanë shqetësime rreth sigurisë së armëve bërthamore të Pakistanit dhe shtoi se këto armë janë nën kontrollin e duhur. //ad//

XS
SM
MD
LG