Lidhje

Ekipi i Unitetit takohet para bisedimeve të Brukselit mbi statusin


Takimi u kryesua nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe në të morën pjesë kryeministri Agim Çeku, shefja e misionit të zyrës amerikane në Prishtinë, Kaidanow dhe përfaqësuesi i BE-së, Jonas Xhonson.

Zyra amerikane në Prishtinë theksoi mbështetjen e fortë të qeverisë amerikane për zgjedhjet demokratike në Kosovë, por tha se nuk mbështet ndonjë parti apo kandidat të veçantë. Lajmet bënin të ditur se ish komandanti amerikan i K-FOR-it Earhart ishte i pranishëm në një manifestim fushate, por zyra amerikane vuri në dukje se ai ishte atje privatisht dhe jo si përfaqësues zyrtar i qeverisë amerikane.

Bisedimet në Bruksel do të ndërmjetësohen nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian e Rusia dhe do të jetë më i fundit në serinë e takimeve, që synojnë arritjen e një marrëveshjeje midis shqiptarëve dhe serbëve për të ardhmen e Kosovës.

“Në takimin e ardhshëm të martën në Bruksel ne do të diskutojmë rreth një farë marrëveshjeje dhe modaliteteve mes Kosovës dhe Serbisë, por pa folur rreth statusit të Kosovës”, u tha gazetarëve pas takimit zëdhënësi i Ekipit të Unitetit të Kosovës, Skënder Hyseni.

Tre përfaqësuesit ndërkombëtarë do t’ia paraqesin rezultatet e të gjitha takimeve Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun më 10 dhjetor.

Ndërkohë, kryeministri Çeku zhvilloi takimin e fundit të kabinetit në këtë post. Duke folur para takimit, kryeministri Çeku shprehu optimizëm rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës.

“Do të vazhdoj të jem optimist për statusin e Kosovës. Mendoj se pak pas 10 dhjetorit, statusi do të përcaktohet dhe do të shpallet pak ditë më pas. Mendoj se kjo është një periudhë historike dhe prandaj duhet ta shfrytëzojmë. Ne e patëm shansin verën e kaluar, por e lamë të na ikte. Tani ne vetë duhet të vendosim për fatin tonë dhe të ardhmen tonë. Parlamenti i Kosovës ka një ndetyrim ndaj popullit të Kosovës dhe vetë autoritetet e Kosovës të shpallin pavarësinë dhe të kërkojnë njohjen e saj nga komuniteti ndërkombëtar”.

Takimi i qeverisë mbahet vetëm një ditë para zgjedhjeve lokale dhe qëndrore të Kosovës, zgjedhjet e para që prej vdekjes së ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova në janar të vitit 2006.

Pavarësia nga Serbia është në krye të fushatave të anëtarëve të partive, që kandidojnë dhe rezultati i zgjedhjeve ka të ngjarë të ndikojë në negociatat mbi statusin e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar dy zgjedhjet e fundit që nga viti 1999, por sipas anketave të fundit të opinionit publik, Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, gëzon mbështetje më të madh.

Rreth 150 vëzhgues nga 34 vende evropaine do të vëzhgojnë zgjedhjet e nesërme në gjithë Kosovën. (ze)

XS
SM
MD
LG