Lidhje

Vazhdojnë për të tretën ditë grevat në Francë dhe Gjermani


Punonjësit e sistemit hekurudhor francez dhe gjerman kanë vazhduar sot për të tretën ditë grevën e tyre, e cila ka rënduar ndjeshëm mbi trafikun e përditshëm, bizneset dhe industrinë.

Anëtarët e disa sindikatave franceze të transportit votuan sot për të vazhduar grevën e tyre kombëtare kundër reformimit të sistemit të pensioneve. Protestat studentore kundër reformave në arsim që ka paraqitur Presidenti Nikola Sarkozi, kanë detyruar mbylljen e të paktën 7 universiteteve. Presidenti francez do të ndeshet javën e ardhshme me një grevë të punonjësve qeveritarë.

Në Gjermani, greva më e madhe hekurudhore në historinë e vendit po i kushton ekonomisë 73 milionë dollarë në ditë – një shifër që pritet të rritet nëse greva vazhdon. Kompania e prodhimit të automjeteve Audi ka ndaluar punën në një prej uzinave në Belgjikë pasi ka mungesa në furnizimet me pjesë për automjete.

Greva 62-orëshe pritet të përfundojë nesër. Punonjësit gjermanë të sistemit hekurudhor kërkojnë ngritje të ndjeshme pagash. Grevat e punonjësve të transportit po humbasin mbështetje tek publiku, ndërkohë që banorët janë të detyruar të gjejnë metoda të tjera lëvizjeje në një mot të ftohtë. (ze)

XS
SM
MD
LG