Lidhje

Kosovë: Autoritetet shprehin zhgënjim për mospjesmarrjen serbe


Autoritetet vendase e ndërkombëtare janë shprehur të zhgënjyer me numrin e vogël të votuesve nga radhët e komunitetit serb. Në disa komuna të banuara nga pjesëtarë të këtij komuniteti numri i votuesve ishte zero. Një numër më i vogël ndërkaq ka dalë në zgjedhje në pjesën qendrore të Kosovës, ndonëse me mjaft vështirësi.

Subjektet më të mëdha politike të këtij komuniteti nuk janë regjistruar fare për të marrë pjesë në votime për shkak të thirrjeve të Beogradit për bojkotimin e tyre. Këto thirrje janë mbështetur veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës ku nuk janë hapur as vendvotimet.

Udhëheqës të partive më të vogla që po marrin pjesë në zgjedhje thanë se në këtë mënyrë synojnë përmirësimin e gjendjes së këtij komuniteti. Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale serbe Slobodan Petrovic tha se me gjithë thirrjet për bojkotim ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhje për hir të së ardhmes së përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Ajo që dua të porosis në këtë mënyrë është që njerëzit të marrin fatin në duart e tyre dhe të jenë ata që do të provojnë të zgjidhin problemet që janë të shumta”, tha zoti Petroviç.

Ndërkaq në veriun e Kosovës as që është lejuar hapja e vendvotimeve. Një nga drejtuesit e Këshillit Kombëtar serb Milan Ivanoviç tha se pjesëmarrja e pjesëtarëve të këtij komuniteti nuk është penguar prej vëzhguesve të këtij këshilli. “Është e sigurt se nuk ka trysni mbi serbët dhe të gjithë kanë mundësinë që lirisht të vendosin çfarë të bëjnë”, tha ai, duke nënvizuar se para votimeve atyre u është bërë thirrje që të bojkotojnë këto zgjedhje.

Zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Steven Schook u shpreh i zhgënjyer me mospjesëmarrjen e serbëve në votime. “Mendoj se sa herë që hiqni dorë nga votimi, hiqni dorë nga mundësia që t’i siguroni vetes paqe dhe rastin për të zgjedhur ata njerëz që do të jenë udhëheqësit tuaj”, tha zoti Schook duke shprehur mospajtimin e tij me qëndrimet e Beogradit dhe të udhëheqësve serbë në veriun e Kosovës. //ii

XS
SM
MD
LG