Lidhje

Zgjedhjet në Kosovë – shqiptarët presin pavarësi e mirëqenie


Në mot të ftohtë dhe me ngrica që kushtëzuan edhe vonesa në fillimin e votimeve, qytetarët e Kosovës dolën të shtunën ndonëse jo në numër të madh për të votuar ne zgjedhjet parlamentare dhe ato komunale. Ata besojnë në përmbylljen e shpejtë të statusit politik të Kosovës por edhe në përmirësimin e kushteve të jetës nëpërmjet rimëkëmbjes ekonomike.

“Presim stabilizimin e Kosovës, Presim këto votime me e realizue ëndrrën e kamotshme, pavarësinë e Kosovës. E falënderojmë Amerikën dhe Bashkësinë Evropiane për ndihmat që i ka bërë deri më tani.”

“Për ndryshime në jetë, që do të bëjnë një jetë më dinjitoze për qytetarin”

“Presim diçka më të re, siç presin krejt shqiptarët dhe këto zgjedhje ishalla janë më të mira”

“Po presim më mirë. Ujë më mirë, rrymë më mirë, pensionet. Im shoq ka punue 40 vjet po i merr 40 euro” ishin disa nga dëshirat e votuesve.

Udhëheqësit politikë shqiptarë thanë ndërkaq se zgjedhjet e sotme janë një proces shumë i rëndësishëm i cili përkon me procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës. Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, i cili drejton edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka vënë theksin në siç është shprehur kulturën politike të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. "Është shumë e rëndësishme që të votoni gjithë ata që ju keni besimin në ta. Është shumë me rëndësi që Kosova pikërisht në këtë periudhë hap një kaptinë të veçantë, atë që ka të bëjë me statusin politik të saj që është objektivi yni themelor për të krijuar një jetë më të mirë të qytetarëve, për të krijuar një rehati të përgjithshme në Kosovën e pavarur dhe sovrane", tha Presidenti Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i cili përfundon mandatin e tij me krijimin e institucioneve të reja që do të dalin pas 17 nëntorit, mospërfshirjen e tij në këto zgjedhje e arsyetoi me përcaktimin e tij ndërmjet procesit demokratik dhe një procesi historik. Ai tha se është përcaktuar për këtë të fundit. " Më e rëndësishmja është që sa më shpejt të përmbyllet ky kapitull i zgjedhjeve dhe të mos humbim kohë në krijimin e institucioneve vendimmarrëse në Kosovë, sepse na presin vendime të mëdha. Do t'i bëhet një dëm shumë i madh procesit të pavarësimit të Kosovës nëse ajo nuk i ka institucionet e veta vendimmarrëse deri më 10 dhjetor”, tha kryeministri Çeku.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cilësoi zgjedhjet e sotme pjesë të proceseve demokratike të Kosovës. “I uroj dhe përgëzoj qytetarët e Kosovës për fitoren e madhe që do të arrihet sot për demokracinë, për të ardhmen tonë të sigurt, për të ardhmen tonë në familjen evropiane edhe të integruar në strukturat euroatlantike, dhe në ruajtjen e kultivimin e raporteve me SHBA-në ", tha zoti Thaçi.

Veton Surroi, nga partia reformiste Ora, tha ndërkaq se vota e sotme e qytetarëve të Kosovës tregon pjekurinë e popullit të saj në momentet kur vendoset për statusin përfundimtar të vendit. "Është shumë me rëndësi që të gjithë qytetarët të dalin në votime jo vetëm për shkak të numrit sa më të madh të votave që partitë duhet t'i kenë, por vota sot është votë edhe për Kosovën, e cila tregon pjekurinë e popullit të saj se në momentet kur vendoset për statusi”, tha zoti Surroi duke shtuar se “Kosova është në gjendje të zhvillojë edhe një fushatë të rregullt dhe zgjedhje të rregullta. Është shumë me rëndësi që e tërë bota të sheh se jemi një popull që e do demokracinë dhe ndërtimin e rregullt të institucioneve".

Edhe udhëheqësit e tjerë të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 17 nëntorit u angazhuan për zbatim sa më të shpejtë të rezultateve të këtyre zgjedhjeve të cilat ata i kanë cilësuar si shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Zgjedhjet mbahen pak ditë para vazhdimit të bisedimeve për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës të cilat pritet të përfundojnë më 10 dhjetor. Analistët në Prishtinë tërheqin vemendjen se kjo datë nuk duhet ta gjejë Kosovën me një boshllëk institucional. //ii

XS
SM
MD
LG