Lidhje

Karriera e grupit muzikor Drowning Pool


CD-ja e parë e grupit Drowning Pool, me titull Sinner në vitin 2001 ka në qëndër këngëtarin Dave Williams i cili vdiq në vitin 2002 nga zemra, një ditë pasi interpretoi në koncertin Ozzfest. Muzika e këtij grupi është kolona zanore e filmave si Saw III, The Punisher dhe The One. Grupi Drowning Pool ishte në studiot e Zërit të Amerikës për të prezantuar vokalistin e ri të grupit dhe për të folur rreth turneut të tyre të fundit.

U deshën vetëm gjashtë muaj që Sinner të shitej në një milion kopje në Shtetet e Bashkuara. Drowing Pool është kthyer përsëri me CD-në e tretë të titulluar Full Circle. Albumi prezanton këngëtarin e ri kryesor Ryan McCombs, ish anëtar i grupit Soil. "Grupi kishte si bazë një ndjenjë familjare. Kur Davy Williams ishte pjesë e grupit, ishte pjesë e familjes. I kam dëgjuar djemtë e grupit të shprehen kështu, dhe shpresoj të mos shkel në ndjenjat e tyre. Mund të them se tani ajo ndenjë është kthyer përsëri. Jemi si vëllezër dhe ia kalojmë mirë së bashku. Tani jemi në gjendje të kalojmë mirë duke bërë njëkohësisht diçka të mirë", thotë vokalisti i grupit.

Turneu i tanishëm i Drowning Pool titullohet This Is For The Soldiers. Për çdo biletë të shitur, 50 cent i kalojnë Organizatës së Bashkuara të Shërbimeve, një grup jofitimprurës që jep ndihma dhe financon aktivitetet për forcat ushtarake amerikane dhe 50 cent të tjera shkojnë për veteranët e luftës në Irak dhe Afganistan për ti ndihmuar ata t’i rikthehen jetës pas luftës. "Kjo ndihmë na lejon të grumbullojmë të dhënat për veteranët e luftës në Irak dhe Afganistan. Jemi organizata më e madhe dhe e para për këta veteranë. Jemi këtu në Washington me grupe si Drowning Pool duke u përpjekur të zbatojmë ndryshimet. Nuk jemi këtu për t’u dhënë një kartë anëtarësimi apo një DVD me informacione. Jemi këtu për të zbatuar ndryshime për veteranët dhe familjet e tyre kur kthehen nga Iraku dhe Afganistani. Ky është synimi ynë kryesor", thotë Tod Bowers, i organizatës Veteranët e Luftës në Irak dhe Afganistan.

Drowning Pool ka interpretuar në mbarë botën dhe mbetet një grup i preferuar për ushtrinë amerikane. "Kemi kaluar gjithë karrierën tonë duke interpretuar në shumë koncerte dhe kemi patur mundësi të luajmë në shfaqje historike që nga festivalet evropiane dhe përpara turmave të mëdha njerëzish. Mund të flasë për të gjithë kur them se asgjë nuk krahasohet me shfaqjet që kemi dhënë në Kuvajt, Irak apo në Korenë e Jugut. Kemi luajtur në këto baza ushtarake për dy orë dhe djemtë dhe vajzat me uniformë ndjehen si në atdhe duke ndjekur shfaqjet tona".

Drowning Pool do të vazhdojë turneun edhe vitin e ardhshëm për të reklamuar CDnë e re. Gjatë udhëtimeve të tyre ata do të vazhdojnë punën për të kompozuar këngë për albumin e ardhshëm. "Albumi i ardhshëm zakonisht fillon sapo përfundon i fundit. Po kalojmë shumë mirë duke patur mundësinë të eksplorojmë drejtime të ndryshme muzikore, jo si një tren ekspres që udhëton në një drejtim të vetëm. Në këtë album të ri ka këngë që janë shumë ndryshe nga ato tipiket që kemi krijuar më parë. Në shumë drejtime, muzika jonë pasqyron ndryshimin që ndodh tek vetë ne, anëtarët e grupit, ndërsa kalojmë në faza të tjera të jetës". //rd//

XS
SM
MD
LG