Lidhje

Portret i kandidatit Ralf Nejder, ende jo në garën presidenciale


Një nga figurat që ka ndikuar në mënyrën sesi amerikanët mendojnë, jetojnë dhe veprojnë është edhe Ralf Nader dhe në të kaluarën kandidatura e tij për në Shtëpinë e Bardhë e ka nxitur më tej debatin mbi të ardhmen e sistemit politik dy partiak në Shtetet e Bashkuara. Ralf Nejder, tani 73 vjeç, thotë se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë edhe një herë në garën për në Shtëpinë e Bardhë.

Ralf Nejdër u rrit në një qytet të vogël në Kenektikat ku bisedat rreth politikës bëheshin në tryezën e ngrënies dhe në restorantin e babait të tij. “Ajo ishte shprehja e lirisë së fjalës. Pavarësisht se çfarë pikëpamje politike kishin njerëzit, ata kurrë nuk u panë me zemërim nga im atë sepse atij i pëlqente mendimi i kundërt. Ai na thoshte se çdo gjë që kemi në në këtë vend, e ka zanafillën tek opinionet e ndryshme.”

Prindërit e Ralf Nejderit ishin emigrantë nga Libani. Ai thotë se ideja e të atit të tij mbi patriotizmin ishte të përpiqej të përmirësonte vendin dhe jetën e të tjerëve. “Pastaj ai i pyeste njerëzit: A e doni vendin tuaj? Ata përgjigjeshin: Sigurisht që e duam – duke i rënë banakut. Atëhere përse nuk shpenzoni pak më shumë kohë për ta përmirësuar atë?” Ralph Nejder thotë se prindërit e mësuan si të dëgjonte e të mendonte në mënyrë kritike. Këto vlera familjare, thotë ai, e bënë atë t’i përkushtohej luftës kundër padrejtësisë dhe mbrojtjes së ligjit, duke u bërë avokat.

Në vitin 1965, Ralf Nejder botoi një libër me titull “I pasigurtë në çdo shpejtësi”, ku ai argumenton se industria amerikane e automobilëve prodhonte makina që e dinte se ishin të rrezikëshme. Veçanërisht ai kritikonte një makinë të General Motors, Corvair, për të cilën thoshte se projektimi i saj plot gabime mund të çojë në aksidente. Firma General Motors u përpoq ta diskretitonte autorin Nejder dhe ndërmorri një hetim rreth jetës së tij. Nejdër e hodhi në gjyq kompaninë për fyerje dhe fitoi duke marrë si dëmshpërblim një shumë të madhe të hollash. Këto ai i përdori për të financuar betejën në mbrojtje të konsumatorëve për makina më të mira, si dhe ushqim, strehim dhe vend pune më të mbrojtura.

Në këtë fushatë ai punësoi një grup avokatësh të rinj që u bënë të njohur si Bastisësit e Nejderit. Kjo është një pjesë nga filmi “Njeriu i paarsyeshëm” mbi punën e këtyre avokatëve. “Ndoshta nëse ne fillojmë të flasim rreth globalizimit qytetar dhe jo globalizimit të korporatave, bota do shkojë përpara”. Në vitin 1996 dhe 2000, Ralf Nejder konkuroi në garën presidenciale si kandidat i Partisë së Gjelbërt, duke kritikuar si politikat e demokratëve edhe të republikanëve.

Në vitin 2004 ai shpalli përsëri kandidaturën për në Shtëpinë e Bardhë si kandidat i pavarur. “Politikat presidenciale kishin probleme prej shumë kohësh. Të dyja partitë kishin probleme. Ato kanë nevojë të rizgjihen. Dikush duhet ta bëjë këtë” Presidenti Xhorxh Bush i fitoi zgjedhjet në vitin 2004 dhe shumë demokratë e cilësuan Ralf Nejderin si sabotues pasi ai kundërshtoi të dilte nga gara.“Së pari, si munde të prishte një sistem politik që ka probleme dhe së dyti nëse ne të gjithë kemi të drejta të barabarta për të kandiduar për post politik, atëherë ose asnjë prej nesh nuk e prish sistemin, ose ne të gjithë jemi ata që i prishim punë njëri-tjetrit.”

Sot zoti Nejder thotë se kandidatët presidencialë duhet të sigurojnë qindra miliona dollarë për të konkuruar. “Dhe ku do t’i gjejnë ata këto para? Ata nuk do t’i marrin këto shuma nga njerëzit që prodhojnë ushqimin tonë, nga njerëzit që bëjnë punë të rëndomta apo nga njerëzit që punojnë çdo ditë. Jo, këto para ata do t’i marrin nga milionerët dhe multi milionerët, nga miliarderët dhe nga korporatat.” Ralf Nejder, tani 73 vjeç, thotë se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë edhe një herë në garën për në Shtëpinë e Bardhë. Por një gjë duket e sigurt, se si një qytetar publik i vetshpallur, Ralf Nejder do të vazhdojë t’i bëjë të ditura qëndrimet e tij. //rd//

XS
SM
MD
LG