Lidhje

Kosovë: KQZ shpall rezultatet e para, Partia Demokratike fituese


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi sonte rezultatet e para të pjesshme të zgjedhjeve të së shtunës për Parlamentin dhe qeveritë komunale të Kosovës. Sipas këtij Komisioni fituese e këtyre zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës me 34 për qind dhe ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 21.8 për qind, Aleanca Kosova e Re me 12.1 për qind, Lidhja Demokratike e Dardanisë me 10.4 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9.9 për qind dhe Partia Reformiste Ora me 4.2 për qind të votave.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se ende po vazhdon numërimi i votave, kryesisht atyre me kusht dhe votave me postë të cilat priten të arrijnë deri nesër. Sipas rezultateve të deritashme në pjesën më të madhe të komunave do të zhvillohet një rreth i dytë votimesh dhe kjo do të ndodhë më 8 dhjetor.

Autoritetet sërish shprehën pakënaqësinë me pjesëmarrjen e ultë të votuesve në këto zgjedhje dhe dëshpërim me pjesëmarrjen shumë të vogël të pjesëtarëve të komunitetit serb në veçanti. Këta të fundit në masë të madhe i kanë bojkotuar zgjedhjet për shkak ta thirrjeve që u ka bërë atyre Beogradi që të mos marrin pjesë në zgjedhje.

Meqë asnjë nga partitë politike nuk ka arritur të sigurojë mjaft vota, që ta bëjë vetë Qeverinë koalicionet janë të domosdoshme. Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë pohuar se nuk përjashtojnë asnjë parti politike nga bisedimet për krijimin e qeverisë së re, ndërsa edhe pjesa tjetër e partive kryesisht është në favor të bisedimeve për krijimin e koalicionit të ri qeverisës.

Tash për tash koalicioni i Partisë Demokratike me Lidhjen Demokratike të Kosovës është më i mundshmi dhe sipas shumë vëzhguesve edhe më i lehti për t'u krijuar. Kjo nënkupton megjithatë se duhet edhe mbështetje e ndonjë parti me të vogël për të siguruar shumicën e nevojshme të deputetëve që do të krijonin mundësi për një qeveri të qëndrueshme.

Sigurisht një rol të rëndësishëm do të luaj edhe nevoja e ruajtjes së konsensusit të përgjithshëm politikë për shkak të procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, kur kanë mbetur edhe dy takime deri në fund të negociatave shtesë. //iç//

XS
SM
MD
LG