Lidhje

Senati amerikan teknikisht vazhdon punën edhe kur është sezon pushimesh


Shumica e senatorëve amerikanë janë larguar nga Uashingtoni për dy javë pushime, megjithatë senati teknikisht vazhdon punën për të mos lejuar që presidenti Bush të bëjë emërime pa miratimin e tij.

Kjo praktikë e rrallë e vënë në jetë nga kreu i shumicës në senat, demokrati Harry Reid, e bën të pamundur që presidenti të përdorë pushtetin e vet kushtetues për të mbushur postet ndërkohë që senati është me pushime.

Disa kandidatë të emëruar nga presidenti Bush e kanë pasur të vështirë të marrin miratimin e senatit, duke përfshirë kandidatin për postin e këshilltarit të presidentit për çështje shëndetsore dhe kandidatit për në gjykatën federale.

Presidenti Bush e përdori pushtetin e tij për të emëruar në vitin 2005 John Bolton si ambasador të Shteteve të Bashkuara në OKB.

Emërimet gjatë pushimeve të kongresit nuk mund të merren kurdo, ato zgjasin deri në fund të seancës së kongresit, dhe në këtë rast, deri në janar të vitit 2009.

Megjithëse teknikisht senati është ende në punë, veprimtaria e tij mbetet e pezulluar. Si Dhoma e Përfaqësuesve edhe Senati kanë ligje të rëndësishme për të miratuar, duke përfshirë financimin e luftës në Irak, sigurimet shëndetsore për fëmijët dhe subvencionet bujqësore. //iç//

XS
SM
MD
LG