Lidhje

Statusi i Kosovës në qendër të takimit Merkel-Prodi


Çështja e statusit përfundimtar të Kosovës ishte sot në qendër të takimit të Kancelares gjermane Angela Merkel me Kryeministrin italian Romano Prodi. Të dy zyrtarët e lartë u shprehën për nevojën e një qëndrimi të harmonizuar të Bashkimit Evropian.

“Ne diskutuam rreth konflikteve ndërkombëtare dhe folëm për situatën në Kosovë në fund të vitit. Evropa do të ketë përgjegjësi më të madhe. Gjermania dhe Italia janë të një mendimi për gjetjen e një qëndrimi të bashkërenduar të BE-së për Kosovën”.

Takimi i dy udhëheqësve të lartë evropianë, u zhvillua ndërkohë që po afrohet afati i 10 dhejtorit për përfundimit të negociatave shtesë midis Prishtinës dhe Beogradit, pa ndonjë shpresë në horizont për arritjern e një marrëveshjeje.

Shqiptarët në Kosovë thonë se shumë shpejt pas 10 dhjetorit do të shpallin pavarësinë në mënyrë të njëashme, duke nënvizuar vazhdimisht, se këtë hap do ta ndërmarrin në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.

Uashingtoni ka theksuar se në se palët nuk arrijnë dot një marrëveshje, atëhere statusi i Kosovës do të përcaktohej në bazë të planit të të dërguarit të posaçëm të OKB-së Marti Ahtisaari, që parashikon pavarësi të mbikqyrur.

Në këtë rast Bashkimi Evropian do të luante rolin kryesor për drejtimin e proceve shtetformuese në Kosovë. Por Bashkimi Evropian ende nuk ka arritur të ketë një qëndrim të përbashkët për Kosovën. Disa vende, si Spanja, Qipro e Greqia kërkojnë që zgjidhja të vijë përmes Këshillit të Sigurimit.

Rusia, aleate tradicionale e Serbëve ka kërcënuar të verë veton ndaj çdo propozimi që nuk gëzon mbështetjen e Beogradit.

Duke folur sot pas takimit me Kancelaren Merkel, Kryeministri italian Romano Prodi, po ashtu theksoi nevojën e një politike të bashkërenduar të BE-së për Kosovën.

“Gjatë muajve të ardhshëm, Kosova do të jetë gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes. Ne po punojmë për të harmonizuar qëndrimin tonë për Kosovën, për të patur një politikë të përbashkët evropiane, në mënyrë që ky tranzicion i vështirë në Kosovë të bëhet në mënyrë paqësore dhe që të gjithë qytetarët të jenë të sigurtë”.

Një raund i fundit bisedimesh midis Beogradit dhe Prishtinës pritet të zhvillohet më 26 deri 28 nëntor në Vjenë dhe më 10 dhjetor, përfaqësuesit e treshes, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, do t’i paraqesin raportin e tyre Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon. (ze)

XS
SM
MD
LG