Lidhje

Presidenti i Francës zotohet të mos heqë dorë nga reformat


Presidenti francez Nikola Sarkozi, i ndeshur me veprimtari intensive nga sindikatat e vendit, është zotuar të mos heqë dorë nga reformat ekonomike, duke thënë se Franca ka nevojë për ndryshime për të përballuar sfidat e kohës.

Në komentet që bëri sot në Paris, zoti Sarkozi tha se reformat në pensione janë shtyrë më tepër se duhet. Ai tha se nevojitet tani një ndryshim për të ndalur atë që e cilësoi si rënie ekonomike e Francës.

Qindra mijëra punonjës të sektorit shtetëror në Francë filluan sot një grevë një ditëshe, duke iu bashkuar punonjësve të transportit, me kërkesat për rritje pagash dhe në protestë ndaj planeve të qeverisë për reformimin e ekonomisë së vendit.

Punonjësit e sektorit shtetëror, mes tyre edhe ata të postave dhe aeroportit, arsimtarët dhe personeli spitalor dolën sot nëpër rrugët e Parisit. Ata u bashkuan në marshim me punonjësit e hekurudhave, të cilët u hodhën në grevë javën e kaluar kundër planeve të Presidentit Sarkozi për të reformuar sistemin shtetëror të pensioneve. (ze)

XS
SM
MD
LG