Lidhje

Nafta reshpore - burim alternativ i energjisë


Ndërsa çmimi i naftës është rritur në tregjet botërore dhe kërkesa për energji po shtohet, kompanitë e naftës i kanë përqëndruar përpjekjet në zhvillimin e të ashtuquajturave “burime jokonvencionale”. Një mundësi e tillë ekziston thellë nën tokë, në një rajon në perëndim të shtetit të Kolorados, ku gjeologët thonë se një trilion fuçi nafte gjenden të bllokuar në shkëmbinj dhe përbëjnë gjysmën e naftës reshpore të botës. Gazetari i Zërit të Amerikës Greg Flakus njofton nga ultësira Piantz, ku firma Shell po përpiqet të prodhojë naftë.

Projekti i kompanisë Shell mund të jetë e ardhmja e energjisë amerikane ose një dështim i kushtueshëm. Shell shpreson të shpojë në shkëmbinjtë reshporë si ky që shikoni. Ata përmbajnë një kimikat të quajtur kerogjen i cili kur nxehet, prodhon naftë.

Në të kaluarën, kur çmimi i naftës ra në mënyrë të ndjeshme në vitin 1982, firmat që po përpiqeshin për të nxjerrë naftë reshpore, hoqën dorë nga këto përpjekje. Por çmimet tani janë në nivele rekord.

Zëdhënësi i Shellit, Tracy Boyd thotë se kompania po praktikon një proces të nxjerrjes së naftë pa hapur galeri. "Nxehtësinë po e çojmë në formacionet reshpore me naftë dhe po e shndërrojmë materialin organik të quajtur kerogjen, në hidrokarbur të lëngshëm".

Në zyrat e firmës Shell në ultësirën (Pee-antz), punëtorët kanë rrethuar një pjesë të reshpeve me një mur izolues të ftohur. Ata hedhin amoniak të ftohtë përmes tubacioneve të vendosura përreth zonës. Kjo është një teknikë që firma e huazoi nga ndërtimi i ndërtesave. Në rastin e naftës reshpore, muri i ngrirë heq lagështinë në mënyrë që shkëmbi të nxehet në mënyrë më të efektshme.

Në shkollën e Minierave në Kolorado, Jeremy Boak shërben si menaxheri i projektit për Institutin Kërkimor të Energjisë. Ai thotë se eksperimenti ambicioz i Shellit mund të dalë me sukses, por kompania përballet me sfida të mëdha. "Rezervat janë të mëdha. Potenciali i shfrytëzimit të tyre është më i vogël se sa me naftën tradicionale qe nxirret përmes puseve me shpim. Faktikisht po pjek një gur, që nuk është i gatshëm të prodhojë ende naftë". Ai thotë se problemi kryesor është sasia e madhe e elektricitetit që nevojitet për të nxehur reshpet dhe sasia e dioksidit të karbonit që mund të emetojnë uzinat elektrike.

Ky është shqetësimi kryesor për ambjentalistët si Elise Jones, Drejtoreshë Ekzekutive e Koalicionit Ambjentalist të Kolorados në Denver. "Si mund të investojmë në një burim të ri energjie që sjell emetim të madh të gazrave që shkaktojnë efektin serë, për të prodhuar naftë? Zonja Jones thotë se ambjentalistët nuk i kundërshtojnë të gjitha projektet e energjisë, por janë të shqetësuar se nxitimi për të zhvilluar burime si nafta nga reshpet mund të dëmtojë bukurinë natyrore të këtij shteti si dhe ajrin dhe ujin. "Sondat e shpimit po mbijnë si kërpudha në gjithë pjesën perendimore të Kolorados. Dhe veç tyre të ngresh edhe një industri tjetër për nxjerrjen e naftës, kjo është e tepërt". Por Tracy Boyd i firmës Shell thotë se kompania e tij po vepron me kujdes, duke u përpjekur të prodhojë naftën nga reshpet pa dëmtuar ambjentin. Kompania thotë se mund të duhen ndoshta 20 vjet për të filluar prodhimin e naftës nga reshpet në sasi të madhe. Ndërkohë, si investitorët edhe ambjentalistët po vëzhgojnë me kujdes. //rd//

XS
SM
MD
LG