Lidhje

Rëndësia e Internetit në fushatat zgjedhore


Interneti është shfrytëzuar në fushata zgjedhore në Shtetet e Bashkuara që nga vitet 1990 por këtë radhë, në zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë rëndësia e tij është rritur jashtëzakonisht shumë. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim mënyrës se si kandidatët dhe partitë e tyre po shfrytëzojnë internetin në fushatat e tyre.

Hillary Clinton “Unë deklaroj sot se po formoj një komitet zgjedhor.” Mitt Romney: “Unë deklaroj sot se do të kandidojë për president të Shteteve të Bashkuara.” Barack Obama: “Të kandidojë për president të Shteteve të Bashkuara.” Të gjithë këta kandidatë shpallën kandidaturën e tyre në internet sepse në këto zgjedhje media ku duhet të shihesh dhe ku ke mundësi të komunikosh me një përqindje gjithnjë e më të lartë zgjedhësish, është interneti.

Televizioni ndryshoi skenën politike të Shteteve të Bashkuara në vitet 1950 dhe 60. Gjysmë shekulli më pas interneti ka zgjeruar dukshëm mënyrat se si kandidatët komunikojnë me votuesit dhe anasjelltas.

Në garën presidenciale të vitit 2008 kur kandidatët paraqesin qëndrimet e tyre, video të këtyre deklaratave publikohen në faqet e tyre të internetit. Ndryshe nga televizioni, video e publikuar në internet mund të shihet vazhdimisht pa i kushtuar kandidatit më tepër të holla.

Fushatat shfrytëzojnë internetin sepse mesazhi i tyre u shkon votuesve pa u komentuar apo sfiduar komenti që duan të përcjellin kandidatët. Interneti ka kontribuar gjithashtu në mbledhjen e shumave të mëdha për fushatë. Në fakt shumica e kandidatëve në krye të faqes së tyre të internetit kanë apelin ndaj simpatizantëve për të kontribuar me fonde. "Unë kam vendosur se për të kontribuar më së shumti që vendi im të kthehet sërish në rrugë të drejtë është të kandidoj për senator.” Siç shihet nga kjo deklaratë e kandidatit për senator nga shteti i Virxhinias Mark Warner, jo vetëm kandidatët presidencialë shfrytëzojnë internetin për fushata të tyre për të komunikim me votuesin dhe mbledhje fondesh.

Një ndër ndryshimet ndërmjet televizionit dhe internetit është se i lejon kandidatit dhe votuesit një komunikim të drejtëpërdrejtë. "Ky është komunikimi i parë me qytetarët që bëhet përmes internetit.” Ndërkohë që interneti bashkë me televizionin është bërë një mjet i fuqishëm i fushatave, siç shpjegon Benxhamin Ginsberg nga Univerziteti John Hopkins, ai mund të kthehet edhe si një kundërforcë. "Televizioni në një mënyrë e zhvendosi balancën e forcave në favor të politikanëve. Ata kontrollojnë atë që paraqesin. Por internei e zhvendos balancën e forcave në favor të zgjedhësve, sepse ata mund të inçizojnë me kamera gjëra të cilat kandidatët nuk dëshirojnë që njerëzit t’i dinë apo t’i publikojnë në internet ku mund t’i shohin të gjithë.” Profesori Ginsberg dhe analistë të tjerë thonë se fuqia e internetit si mjet i komunikimit politik do të vazhdojë të rritet, ndoshta deri në një masë kur vetë zgjedhjet do të mbahen përmes tij. //rd//

XS
SM
MD
LG