Lidhje

Brezhinski për Kosovën: Duhet të respektohet e drejta e vetëvendosjes


Ish këshilltari i sigurisë kombëtare në administratën e presidentit Carter, Zbigniev Brezhinski thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me Evropën Perëndimore mbi çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ai i bën thirrje popullit të Kosovës të ketë besim tek e ardhmja afatgjatë, pasi ajo është në favor të një zgjidhjeje që përfshin pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Brezhinski, Kosova është cilësuar si çështja e fundit e pazgjidhur në Ballkan. A mendoni se Kosova duhet të jetë e pavarur?

Zbigniev Brezhinski: Mendoj se e drejta për vetvendosje duhet të respektohet në fund të fundit. Problemi i vërtetë nuk është çështja abstrakte e pavarësisë, por çështja e kohës. Dhe kjo është çështja me të cilën po përballet komuniteti ndërkombëtar tani.

Zëri i Amerikës: Rusia pretendon se Kosova mund të krijojë një precedent të rrezikshëm. A qëndron ky argument?

Zbigniev Brezhinski: Nuk ka dyshim që Rusia do ta shfrytëzojë këtë për të krijuar kushte diku tjetër, për të cilat Rusia do të thoshte se bazohen në precedente të krijuara nga komuniteti ndërkombëtar. Mendoj se është argument që nuk qëndron, por nuk mund të injorohet pavarësisht se është i gabuar.

Zëri i Amerikës: Kosova është çështje e nxhetë në marrëdhëniet Amerikë - Rusi. Si ish këshilltar i sigurisë kombëtare, cila do të ishte këshilla juaj për presidentin?

Zbigniev Brezhinski: Të punojë me Evropën perëndimore, sepse ky nuk mund të jetë vetëm vendim amerikan, duhet të jetë qëndrim kolektiv nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Po Bashkimi Evropian duket disi i ndarë në qëndrimin e tij ndaj Kosovës. A mund të shihet ky si dështim i synimit të politikës së jashtme të përbashkët të BE-së?

Zbigniev Brezhinski: Mendoj se kjo tregon problemin me të cilin përballet Evropa, kur ke një komunitet prej mbi 25 vendesh të pavarura. Përcaktimi i politikës së përbashkët rreth një çështjeje të debatueshme është shumë e vështirë, dhe ky fakt duhet të pranohet.

Zëri i Amerikës: Rusia po përdor paratë e naftës për të rivendosur pushtetin e saj në arenën ndërkombëtare. Ku po shkojnë marrëdhëniet Amerikë - Rusi?

Zbigniev Brezhinski: Mendoj se do të jenë një përzierje e bashkëpunimit dhe konkurencës në varësi të periudhave, por kjo do të jetë thelbi mbizotërues i marrëdhënieve. Nuk mendoj se do të kthehemi në një periudhë bardh e zi të Luftës së Ftohtë të cilën e përjetuam për disa dekada. Por me siguri nuk do të kemi partneritet të afërt strategjik apo një ndarje të mirëfilltë të qëllimeve të përbashkëta. Marrëdhëniet do të jenë komplekse.

Zëri i Amerikës: Pra a mendoni që Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë një qëndrim më të vendosur ndaj Rusisë në këtë dhe çështje të tjera?

Zbigniev Brezhinski: Ajo që nevojitet është qartësia për çështjet e rëndësishme dhe çfarë duhet të nxitet dhe të mbrohet. Prandaj nuk duhet të ngatërrohen marrëdhëniet personale me çështjet e mirëfillta strategjike.

Zëri i Amerikës: T’u kthehemi këtyre të fundit. A kanë Shtetet e Bashkuara interesa strategjike në Ballkan?

Zbigniev Brezhinski: Ky është interes që rrjedh nga interesi i Evropës. Vetë Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë interes strategjik të drejtpërdrejtë në Ballkan, përveç faktit që kjo është një pjesë e rëndësishme e Evropës. Shtetet e Bashkuara kanë interesa të rëndësishme strategjike në Evropë. Prandaj, bashkëpunimi me evropianët në këtë çështje është tepër qenësor.

Zëri i Amerikës: Zoti Putin paralajmëroi Naton të mos vazhdojë zgjerimin pranë kufijve rusë. Si e komentoni këtë hap?

Zbigniev Brezhinski: Këto paralajmërime janë bërë edhe më parë. Rusia kundërshtoi zgjerimin e Natos me Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë dhe Poloninë. Por faktikisht marrëdhëniet e Rusisë me këto vende janë tani më të qëndrueshme dhe më pak kërcënuese se në të kaluarën. Rusia kundërshtoi përfshirjen në Nato të republikave të Baltikut. Këto republika janë tani shumë më të sigurta sepse janë pjesë e Natos. Këto nuk janë kundërshtime të reja.

Zëri i Amerikës: Nëse Kosova vendos të shpallë pavarësinë, dhe Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Evropian e njohin si shtet të pavarur, si mund të reagojë Rusia?

Zbigniev Brezhinski: Ndoshta një reagim që lidhet me Gjeorgjinë, rajonin e Abkazisë, siç kanë lënë të kuptohet rusët, apo ndoshta deklarata të hapura që dënojnë këtë hap. Rusia mund të shprehë mbështetje për reagime të ashpra që mund të bëjë Beogradi.

Zëri i Amerikës: Sa mund të mbështetet Serbia tek Rusia?

Zbigniev Brezhinski: Mendoj se ndoshta serbët e ekzagjerojnë masën e mbështetjes që mund t’u japë Rusia. Serbia duhet ta kuptojë, dhe mendoj se elementët me logjikë e të shëndoshë në Serbi e kuptojnë se e ardhmja e tyre është në Evropë. Ata nuk mund të përfshihen në ish-sferën sovjetike; ata nuk mund të bëhen një vend që ndodhet diku në Azinë Qendrore. Realiteti gjeopolitik i kufizon alternativat që ka Serbia.

Zëri i Amerikës: Tranzicioni ka zgjatur më shumë se pritej, si në Shqipëri, ashtu edhe në shumicën e vendeve evropiano-lindore. Përse mendoni se po u duhet kaq shumë kohë për të përparuar?

Zbigniev Brezhinski: Po ta mendojmë se për sa kohë këto vende iu nënshtruan regjimit komunist; pa dyshim tranzicioni duhet të jetë deri diku proporcional me kohëzgjatjen e lëngatës. Shkatërrimi social, ekonomik dhe moral i këtyre shoqërive nga regjimet komuniste nuk duhet nënvlerësuar. Sa më i gjatë dhe intensiv të ketë qenë regjimi komunist, aq më shumë kohë duhet për t’u rimëkëmbur. Nuk është e rastit që në vende ku regjimi komunist ishte më i sipërfaqshëm dhe qëndresa e shoqërisë ishte më e efektshme, siç është rasti i Polonisë, tranzicioni ka qenë më i lehtë. Nëse ky regjim ishte brutal, gjerësisht i përhapur dhe tmerrësisht shtypës atëherë duhet shumë më tepër kohë.

Zëri i Amerikës: T’i kthehemi përsëri çështjes së Kosovës. Nëse shqiptarët e Kosovës do t’ju kërkonin këshillë për hapin e ardhshëm që do të ndërmarrin, si do t’u përgjigjeshit?

Zbigniev Brezhinski: Do t’u thosha të kenë besim tek e ardhmja afatgjatë, pasi është në favor të një zgjidhjeje që përfshin pavarësinë e Kosovës, por të mos e shtyjnë çështjen me forcë në ndonjë mënyrë që i bën të duken sikur po provokojnë një krizë, pasi një gjë e tillë ka të ngjarë të tkurrë mbështetjen për ta në Evropë. Nëse mbështetja në Evropë tkurret, do të binte edhe impenjimi amerikan për të mbajtur një qëndrim në favor të pavarësisë së Kosovë. Siç e thashë më parë, interesimi i Shteteve të Bashkuara për Kosovën rrjedh nga interesi që ka Evropa në Ballkan, pra nuk është një interes i drejtpërdrejtë. Prandaj duhet që për këto çështje të bashkëpunojmë me evropianët. //bsa//

XS
SM
MD
LG