Lidhje

Konferenca e Paqes për Lindjen e Mesme synon fillimin e zgjidhjes, jo rezultatin


Shtetet e Bashkuara ka ftuar afro 50 vende dhe organizata ndërkombëtare në një konferencë paqeje për Lindjen e Mesme javën e ardhshme që pritet të shërbejë si trampolinë për Izraelin dhe palestinezët për fillimin e negociatave drejt një zgjidhjeje për konfliktin mes tyre. Pjesëmarrja e shteteve arabe në takim, që do të mbahet në Akademinë amerikane të Marinës në Anapolis të Merilendit, konsiderohet si një çelës për suksesin.

Kanë kaluar shtatë vjet që kur negociatat mes Izraelit dhe palestinezëve dështuan në një valë dhune gjatë kryengritjes së dytë kundër pushtimit izraelit.

Tani Shtetet e Bashkuara kanë ftuar udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë, ashtu edhe ministra të jashtëm nga e gjithë bota për atë që analistët thonë se është një përpjekje ambicioze për të arritur një marrëveshje paqeje brenda vitit.

Të gjitha palët e konsiderojnë thelbësore mbështetjen arabe për procesin e paqes dhe vendet që nuk njohin Izraelin si Siria dhe Arabia Saudite janë ftuar të marrin pjesë.

Kjo do ta shtonte mbështetjen për Presidentin palestinez Mahmoud Abbas që së bashku me kryeministrin izraelit Ehud Olmert po përpiqet të arrijë një marrëveshje për krijimin e një shteti të pavarur për palestinezët dhe paqe afatgjatë për izraelitët.

Grupi ekstremist Hamas që ka nën kontroll Rripin e Gazës dhe kundërshton negociatatat me Izraelin, nuk është ftuar.

Ndihmës sekretari i shtetit për Çështje të Lindjes së Afërme, David Welch e quan konferencën një mundësi për të filluar bisedimet që kanë si objektiv një plan të hollësishëm paqeje për Lindjen e Mesme.

“Kjo është një përpjekje serioze. I është kushtuar një objektivi serioz, fillimit të negociatave drejt një zgjidhjeje me dy shtete që ka qenë prej kohësh kërkesë e vendeve arabe dhe tani ata do të shohin që ajo do të plotësohet. Ne gjykojmë se është koha e përshtatshme që ata të luajnë një rol për të ushtruar përgjegjësitë e tyre që do të çonte në përhapjen e paqes edhe më gjerë në Lindjen e Mesme”.

Si presidenti Abbas, ashtu edhe kryeministri Olmert kanë caktuar negociatorë për të shkruar një dokument të përbashkët parimesh për një marrëveshje paqeje në të ardhmen. Ky dokument do të paraqitet në Annapolis.

Megjithatë negociatorët nuk kanë arritur të bien dakord për një tekst të detajuar dhe një deklaratë e përbashkët më e përgjithshme pritet të dalë nga konferenca.

David Makovsky është drejtor i Projektit për Procesin e Paqes së Lindjes së Mesme në Institutin për Politikat mbi Lindjen e Afërt.

Makovsky thotë se zyrtarët e administratës së presidentit Bush janë përpjekur që të mos krijohen shpresa jorealiste për rezultatin e takimit.

“Ideja që ishte krijuar dhe që u përcoll në media ishte se Anapolisi do të bëhej skenë e sukseseve të mëdha diplomatike dhe do të shënonte një kulm. Në fakt është bërë e qartë tani se Anapolis është më shumë fillimi dhe nuk do të ketë ndonjë deklaratë të madhe për ndonjë arritje diplomatike”.

Për vite me radhë Dennis Ross ishte kryenegociatori amerikan gjatë përpjekjeve të mëparshme për një marrëveshje paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Ai thotë se është e rëndësishme që të hartohen plane të përcaktuara qartë për fillimin e negociatave serioze për çështje të statusit përfundimtar si kufijtë, refugjatët dhe të ardhmen e Jeruzalemit menjëherë pas konferencës së Anapolisit.

Përveç përpekjeve në frontin diplomatik, presidenti Bush i ka kërkuar kongresit një rritje të konsiderueshme të ndihmës për Autoritetin Palestinez, 400 milionë dollarë përveç 77 milionë dollarëve të kërkuara para disa muajsh.

David Makovsky i Institutit të Washingtonit thotë se vendeve arabe duhet t’u kërkohet që të premtojnë fonde të konsiderueshme për palestinezët.

“Mendoj se është revoltuese që vendet arabe, kanë pasur trefishim të të ardhurave nga nafta që nga viti 2002 dhe shifra e fitimeve që dëgjohet është 700 miliardë dollarë, dhe nuk kanë bërë asgjë për palestinezët”.

Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice do ta drejtojë konferencën dhe Presidenti Bush pritet që të mbajë një fjalim të rëndësishëm dhe të takohet me pjesëmarrësit.

Si izraelitët, ashtu edhe palestinezët thonë se plani i paqes i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë bazë për këtë qëllim.

Ky plan u propozua për herë të parë në vitin 2003 nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Ai asnjëherë nuk u zbatua sepse palestinezët dhe izraelitët nuk arritën të plotësojnë as kërkesat minimale të tij.//kk//

XS
SM
MD
LG