Lidhje

Dita e Falenderimeve në Shtetet e Bashkuara


Sot në Shtetet e Bashkuara festsohet Dita e Falënderimeve, një ditë kur shprehen falënderimet për stinën e mbledhjes së prodhimeve bujqësore. Ushqimet tradicionale të kësaj dite, për shumë amerikanë, janë gjeli i detit i mbushur, i shoqëruar me pure patatesh. Zakonisht, darka e Ditës së Falënderimeve kalohet me familjen dhe farefisin. Por një tjetër karakteristikë dalluese e kësaj dite, është se ajo shënon edhe fillimin e stinës së blerjeve në prag të festave të fundvitit.

Si çdo vit, Presidenti Bush e filloi festën, duke i falur jetën dy gjelave të detit. Këtë traditë e filloi Presidenti amerikan Harry Truman në vitin 1947. "Tani kam një punë për të bërë, do t’i fal jetën gjelave May dhe Flower, që do t’i çojnë pastaj menjëherë në World Disney, ku do të shërbejnë si të ftuar nderi në Paradën e Ditës së Falënderimeve. Shpresoj që ky nderim i madh nuk do t’u marrë atyre kokën", tha Presidenti Bush.

Emrat që i janë vënë dy gjelave May dhe Flower, i referohen anijes Mayflower, që erdhi në Shtetet e Bashkuara 400 vjet më parë nga Playmuthi i Anglisë. Dhe ishte pikërisht në vjeshtën e vitit 1621, kur pelegrinët festuan për herë të parë prodhimet e bollshme, në një darkë të përbashkët me indianët e Amerikës. Ajo ditë njihet si një nga festimet më të hershme të Ditës së Falënderimeve.

Që nga vitet 1600, Dita e Falënderimeve është tranfromuar në një festë në Shtetet e Bashkuara, kur zhvillohen parada të mëdha, darka me ushqim të bollshëm dhe kjo ditë shënon edhe fillimin e stinës së shitjeve për festat e fundvitit.

Parada e Kompanisë Macy në qytetin e Nju Jorkut është një nga festimet kryesore që shënon çdo vit Ditën e Falënderimeve. Rreth 2,5 milionë njerëz pritet të marrin pjesë në paradë këtë vit, ndërsa 44 milionë të tjerë do ta ndjekin atë nga televizioni, në shtëpitë e tyre. Parada shërben si kujtesë, se stina e festës ka arritur kulmin.

Të premten, pas Ditës së Falënderimeve, shumë amerikanë do të ngrihen nga gjumi herët në mëngjes, për të shkuar nëpër dyqane, ku ka ulje të madhe çmimesh. Vitin e kaluar, rreth 140 milionë amerikanë dolën nëpër dyqane, ku shpenzuan mesatarisht nga 360 dollarë. Ditën e Falënderimeve organizohen edhe darka falas për të varfërit, nëpër kisha, apo qendra të tjera, kur një numër i madh njerëzish dalin vullnetarë për të gatuar dhe për t’u shpërndarë një pjatë gjellë të ngrohtë të varfërve dhe të pastrehëve. //rd//

XS
SM
MD
LG