Lidhje

Presidenti Topi firmos shkarkimin e kryeprokurorit Theodhori Sollakut


Pas deklarimit të djeshëm në Bruksel të presidentit Bamir Topi se ai ende nuk kishte marrë raportin e ekspertëve të thirrur prej tij për çështjen e Prokuorit të Përgjithshëm, askush nuk e priste që ai të firmoste sot në mëngjes para nisjes për në Kroaci, vendimin për shkarkimin e Kryeprokuorit Theodhori Sollaku e njëkohësisht edhe emërimin e pasuesit të tij.

Vendimi i presidentit u bë i njohur nga këshilltari i tij juridik, Artur Metani: “Presidenti i gjen të mbështetura argumentimet mbi të cilat është bazuar Kuvendi i Republikës për propozimin e tij lidhur me përgjegjësinë që ka Prokurori i Përgjithshëm në shkeljet e konstatuara dhe pasojat e ardhura. Në vlerësimin e Presidentit të Republikës është fakt i pamohueshëm se veprimtaria e prokurorisë nuk i është përgjigjur sa dhe si duhet fenomeneve të zhvilluara të krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit në tërësi, gjë që ka ndikuar në funksionimin e shtetit dhe në pasigurinë e jetës së qytetarëve. Presidenti çmon se propozimi i Kuvendit për shkarkimin e z. Theodhori Sollaku nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm është i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe si President i Republikës, në zbatim të Kushtetutës dhe në mbrojtje të saj, ai dekretoi shkarkimin e tij. Gjithashtu, dëshiroj t’ju informoj se po sot Presidenti i Republikës ka dekretuar emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, e cila është znj.Ina Rama”

Zonja Ina Rama, 35 vjec, është anëtare e gjykatës së Apelit të Krimeve të rëndë, një pozicion mjaft i lartë në karrierën gjyqësore. Ajo ishte emëruar nga ish presidenti Alfred Moisiu.

Menjehërë ka reaguar zoti Sollaku, tashmë ish Prokuror i Përgjithshëm, sipas të cilit vendimi ishte rezultat i një pazari që kushtëzoi zgjedhjen e Presidentit Topi: “Vendimi i sotëm i zotit Topi përmbylli procedurën farsë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Eshtë për të ardhur keq që shkeljet flagrante të Kushtetutës të nisura nga Ekzekutivi dhe të miratuara verbërisht nga Kuvendi, u ratifikuan, natën, po verbërisht edhe nga zoti Topi. jam i bindur se dekretimi i sotëm i shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm është rezultat jo i analizës së fakteve që justifikojnë shkaqet kushtetuese për shkarkim, por i një Pazari, i një pazari jo vetëm politik, midis nënkryetarit të Partisë Demokratike, që sot është President, dhe Kryetarit të Partisë Demokratike, cka e bën zotin Topi të mos ishte i lirë të respektonte Kushtetutën e vendit” , tha zoti Sollaku.

Vendimi i presidentit kaloi me shpejtësi në parlament, ku u fut menjëherë në rendin e ditës. Çështja shkaktoi debate shumë të ashpra. Opozita sulmoi haptazi presidentin, duke deklaruar se ka firmosur dekretet në orët e para të mëngjesit pa u gdhirë ende.

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Braçe e quajti dekretin një grusht shteti: “Sot jemi për të diskutuar dhe votuar votuar një akt që nga pikëpamja administrative është jo transparent, jo serioz dhe qesharak. Dhe nga pikëpamja legjislative një atentat i vërtetë ndaj kushtetutës dhe sistemit kushtetues demokratik.. Në këtë vend ka rëndë sistemi demokratik, sistemi i drejtësisë. Sot për hir të së vërtetës nuk po shkarkohet një prokuror por po emërohet një avokat që ka për detyrë të mbroje korrupsionin, që ka për detyrë të mbrojë këtë qeveri. Presidenti I republikës zgjodhi të kryejë një akt të njëanshëm që cënon rëndë institucionet, demokracinë, pavarësinë e sistemit të drejtësisë në këtë vend”, tha zoti Braçe.

Por kryeministri Sali Berisha tha se presidenti Topi ka mbrojtur pavarësinë dhe I qujati të pabaza akuzat e opozitës rreth emrit të zonjës Ina Rama: “Të pretendoni ju se një e dekretuar nga presidenti Moisiu, e sponsorizuar nga ish ministri juaj Panda, e vendosur në një nga pozicionet më kryesore në drejtësinë shqiptare pas Gjykatës së lartë, qenka partiake apo klanore, është absurde”. Zonja Rama fitoi pas një votimi të fshehtë duke marrë 83 vota kundrejt 38 kundër të opozitës.

XS
SM
MD
LG