Lidhje

Shqipëri: Vazhdojnë reagimet pas zgjedhjes së kryeprokurores


Në Shqipëri kanë vazhduar edhe sot reagimet e politikës rreth zgjedhjes së prokuores së re të përgjithshme Ina Rama.

Përfaqësuesit e së djathtës në pushtet kanë përshëndetur emërimin e saj. Ministri i Mbrojtjes, republikani Fatmir Mediu, ka vlerësuar faktin se zonja Rama përfaqëson një figurë profesionale duke saktësuar se përzgjedhja e saj nuk ka qenë politike. Ndërsa Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, ka deklaruar se me zgjedhjen e re policia do të ketë tani, sipas tij, një partner të sigurt të prokuoria për një bashkëpunim të ngushtë në luftën me tolerancë zero ndaj kriminalitetit.

Opozita nga ana tjetër vazhdon të sulmojë ashpër presidentin Bamir Topi për mënyrën se si veproi për shkarkimin e kryeprokuorit Theodhori Sollaku dhe emërimin e shpejtë të zonjës Rama.

Një prej ekspertëve të Partisë Socialiste për çështjet juridike, Ylli Manjani ritheksoi sot qëndrimin e kësaj force, e cila e konsideron dekretin e djeshëm si fundin “pavarësisë së shpresuar” të presidentit Topi. “Midis vullnetit të shqiptarëve për ekuilibër të pushteteve dhe presionit të Kryeministrit për gjithë-pushtet, Presidenti Topi zgjodhi këtë të fundit, deklaroi Manjani duke shtuar se tashmë “Askush nuk beson më tek pavarësia e zotit Bamir Topit si president”.

Në të njejtën linjë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Sekretari i saj i Përgjithshëm Petrit Vasili u shpreh se “shkarkimi dhe emërimi i Kryeprokurorit të ri u kryen në klimën e procedurave të një bizantinizmi te vërtetë politik, perkundrejt trasparencës dhe konsultimit të gjerë dhe të hapur, aq të domosdoshëm dhe aq shumë te proklamuar nga vetë Presidenti i Republikes”, tha zoti Vasili.

Prokurorja e re e Përgjithshme Ina Rama, 35 vjeç, u zgjodh dje nga parlamenti me 83 vota në favor pas debateve të forta pozitë opozitë. //ii

XS
SM
MD
LG