Lidhje

Admirali amerikan Harry Ulrich, vizitë lamtumire në Kosovë


Komandanti i NATO-s për Evropën Jugore, Admirali amerikan Harry Ulrich shfaqi shpresën sot për një zgjidhje sa më të shpejtë të statusit të Kosovës. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite lamtumire në Prishtinë, pas mëse dy vjet e gjysmë të shërbimit në postin e komandantit të forcave të përbashkëta të NATO-s me seli në Napoli, nën urdhrat e të cilit ishin edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

Ai uroi që Kosova ta gjejë sa më shpejt që të jetë e mundur një zgjidhje për statusin përfundimtar politik dhe falënderoi popullin e Kosovës për përparimin e arritur gjatë dy viteve të fundit, përparim ky, që sipas tij është arritur në kontekstin e një periudhe paqësore, të sigurt dhe të qëndrueshme.

Admirali Ulrich u dekorua me medalje nderi nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili tha se "Medalja e Artë Ushtarake" u jepet personaliteteve të rralla që kanë dhënë ndihmesë për Kosovën, ndërsa sërish shprehu mirënjohjen e tij ndaj forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Aktualisht KFOR ka 16 mijë ushtarë në Kosovë dhe sipas autoriteteve të NATO-s, ky numër do të mbetet i pandryshuar të paktën deri në mbyllje të procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Të hënën Prishtina dhe Beogradi takohen për herë të fundit në kuadër të negociatave shtesë për statusin e Kosovës me ndërmjetësimin e treshes së grupit të kontaktit. Por, as pas këtij takimi nuk pritet ndonjë marrëveshje për shkak të qëndrimeve të kundërta të të dyja palëve. Beogradi kërkon ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën, ndërsa Prishtina shprehet e vendosur të shpallë pavarësinë e Kosovës, por ekipi i saj i negociuesve përsëriti edhe sot se ky vendim do të merret vetëm në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar. //ii

XS
SM
MD
LG