Lidhje

SHBA: Republikani Huckabee forcon pozitat në garën presidenciale

  • Jim Malone

Ish guvernatori i Shtetit Arkansas, Mike Huckabee, i ka forcuar disi pozitat si kandidat presidencial i Partisë Republikane në votimet paraprake në shtetin Iowa. Zoti Huckabee nuk është aq i njohur në Shtetet e Bashkuara sa disa kandidatë të tjerë republikanë, por ai shpreson se suksesi i tij në Iowa do t’ja shtonte shanset në garën për në Shtëpinë e Bardhë.

Anketa e fundit e gazetës Washington Post dhe kanalit televiziv ABC tregon se zoti Huckabee po përparon me shpejtësi në Iowa, shtet i cili mban zgjedhjet paraprake për të dy partitë më 3 janar.

Rezultat tregojnë se ish guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney, është në vend të parë me 28 përqind ndërsa Huckabee në vend të dytë me 24 përqind. Ish senatori Fred Thompson nga Tennessee në vend të tretë me 15 përqind, i pasuar nga ish kryetari i Bashkisë së New York-ut, Rudy Giuliani, me 13 përqind. Megjithatë, zoti Giuliani, vazhdon të udhëheqë në kampin republikan në anketat e zhvilluara në mbarë vendin.

Zoti Huckabee po tërheq më shumë vemendje në mbarë vendin ndërkohë që pozita e tij në Iowa po përmirësohet. Ai u paraqit kohët e fundit në forumin e kandidatëve të sponsorizuar nga Radio XM dhe rrjeti televiziv CSPAN. "Unë e di se kush jam dhe nuk kam ndonjë inat me njeri. Në fakt, unë dua të paraqes atë udhëheqje për të cilën ka nevojë vendi”.

Steffen Schmidt është ekspert politik në Universitetin e Iowa-s. Ai thotë se zoti Huckabee është një kandidat që mund të habisë shumë njerëz pas votimeve në Iowa. "Governatori Huckabee është një kandidat i mirë, një njeri tërheqës që ka fituar shumë publicitet. Ai nuk është në krye të listës, por po ngrihet”.

Zoti Huckabee është prift Baptist dhe pikpamjet e tij konservatore për abortin dhe martesën e homoseksualëve mbështeten nga votuesit evangjelistë. Elementi konservator fetar përbën një përqindje të madhe të votuesve republikanë në Iowa.

Ekspertët thonë se sfida për zotin Huckabee do të jetë të ruajë avantazhin në Iowa dhe ta avancojë suksesin atje për t’u bërë më i njohur në shkallë kombëtare.

Larry Sabato, drejtor i Qendrës së Politikës në Universitetin e Virginias thotë: "Në kampin republikan, duket qartë se surpriza do të ishte zgjedhja e zotit Huckabee.”

Profesor Sabato ishte i ftuar për një diskutim në Internet nga Zëri i Amerikës.

Iowa është gjithashtu një provë me rëndësi edhe për demokratët. Anketa e kohëve të fundit e gazetës Washington Post dhe kanalit televiziv ABC tregon se Senatori Barack Obama është paksa përpara Senatores së New York-ut, Hillary Clinton, ndërsa ish senatori John Edwards i Karolinës së Veriut qendron në vend të tretë.

Zonja Clinton kryeson me diferencë të madhe në anketat kombëtare, por ekspertët thonë se humbja e saj në Iowa do ta bënte garën e demokratëve të paparashikueshme. //ii

XS
SM
MD
LG