Lidhje

Çfarë pritet nga Konferenca për Paqen në Lindjen e Mesme?


Të martën, udhëheqësit botërorë do të mblidhen në Anapolis të shtetit Maryland për të diskutuar mbi paqen midis Izraelit dhe autoritetit palestinez. Presidenti Bush e shpalli mbajtjen e konferencës së paqes në fillim të këtij viti. Të mërkurën, Egjipti dhe Turqia u bënë dy vendet e para që njoftuan se do të marrin pjesë. Por pjesmarrja e disa vendeve të tjera arabe është ende në pikëpyetje dhe një zyrtar i departamentit të shtetit ngurroi të thoshte se çfarë rezultati duhet pritur nga konferenca.

Departamenti amerikan i Shtetit ka ftuar rreth 50 vende dhe entitete për të marrë pjesë në konferencën mbi Lindjen e Mesme e cila do të mbahet të martën në Akademinë Detare të Anapolisit në shtetin Merilend.

Në konferencë janë ftuar të gjitha vendet arabe që kufizohen me Izraelin dhe me Autoritetin Palestinez si dhe shumë vende të tjera europiane, aziatike dhe afrikane. Për të përgatitur konferencën, Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice dhe i dërguari për Lindjen e Mesme Tony Blair vizituan rajonin.

Shtetet e Bashkuara janë për të ashtuquajturën zgjidhje me dy shtete, pra pavarësi për palestinezët krahas shtetit izraelit. Diplomatët u takuan me kryeministrin izraelit Ehud Olmert. Zonja Rice u takua gjithashtu me udhëheqësin palestinez.

Por Uashingtoni ende nuk është i gatshëm të thotë se çfarë pret nga kjo konferencë. Ndihmës sekretari i shtetit David Welch."Nuk është detyra ime të them nëse shpresat janë të mëdha apo të vogla. Detyra ime është të përpiqem për realizimin e konferencës që ajo të bëjë përparim. Ne mendojmë se jemi duke e bërë këtë dhe se ky është një moment me të vërtet i rëndësishëm." "Ekziston sidomos mirëkuptimi i përbashkët se ky është momenti që do t’i bëjë ata të ndryshojnë tablonë dhe të fillojnë negociatat serioze", tha zëdhënësi.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e ka vizituar zotin Olmert disa herë në banesën e tij në Jeruzalem, siç ishte vizita e tij muajin e kaluar. Ata u takuan përsëri më 19 nëntor në përgatitje për konferencën e Anapolisit. Sekretarja e shtetit Rice dhe i dërguari Blair u kanë bërë thirrje udhëheqësve palestinezë që të ndërmarrin veprime të përgjegjëshme për të realizuar shtetin e tyre. "Sidomos për çështjet e sigurisë. Nuk mjaftojnë synimet por veprimet konkrete", tha zoti Blair.

Zyrtarët izraelitë ka shfaqur shpresën se dy palët do të mund të zgjidhin çështjet e nevojshme me palestinezët përpara se Presidenti Bush të jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë. "Tani ne po bëjmë hapa në mënyrë që, pas konferencës në Anapolis, të vazhdojmë me një proces negociatash i cili të trajtojë të gjitha çështjet thelbësore që janë me rëndësi të dorës së parë për realizimin e zgjidhjes me dy shtete."

Këto çështje thelbësore përfshijnë kufijtë përfundimtarë, sigurimin e Izraelit, statusin e refugjatëve palestinezë dhe të pasardhësve të tyre si dhe kontrollin mbi ata sektorë të Jeruzalemit që janë me rëndësi për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët.

Shtetet e Bashkuara e shikojnë konferencën në Anapolis jo si një fund por si një fillim të negociatave serioze të paqes për arritjen e sigurisë për Izraelin dhe realizimin e shtetit për palestinezët.

XS
SM
MD
LG