Lidhje

Moda në luftë kundër varfërisë


Moda Lufton Varfërinë është një nga fushatat më të mëdha të grumbullimit të fondeve në Washington DC. Synimi i saj është të ndërgjegjësojë opinionin dhe të grumbullojë fonde për zbutjen e varfërisë globale përmes modës. Gala e tretë vjetore e kësaj ngjarjeje përfshiu gjithashtu një paradë mode me stilime të prodhuara në komunitetet e varfëra në mbarë botën.

“Moda Lufton Varfërinë” është një fushatë humanitare që synon të luftojë varfërinë globale, përmes fuqisë që ka moda për të nxjerrë fitime. Synimi i saj është të rrisë ndërgjegjen dhe të ngrejë fonde për projekte që inkurajojnë dhe mbështesin mënyrat krijuese për të luftuar varfërinë në botë.

Një nga partnerët e kësaj fushate është Shoqata e Kombeve të Bashkuara në Zonën e Kryeqytetit, e cila punon për të inkurajuar amerikanët të mbështesin punën e OKB-së.

Në këtë shfaqje marrin pjesë stilistë kombëtarë dhe ndërkombëtarë që i realizojnë produktet e tyre duke nxitur zhvillimin ekonomik në vendet e varfëra. Rrjeti i Stilit dhe Imazhit, një firmë për marrëdhëniet me publikun me seli në Washington, organizoi këtë shfaqje bamirësie. Drejtor krijues është Michael Dumlao. “Ne reklamojmë punën e stilistëve vendas. Me këtë dua të them, të atyre që përdorin materiale jo të dëmshme për mjedisin dhe që kontribuojnë me koleksionet e tyre për të krijuar një lidhje sociale për një çështje të rëndësishme globale".

Shfaqja e këtij viti ishte një bashkëpunim ndërkombëtar i stilistëve si Basia Frossard nga Polonia, Ecliptica nga Puerto Rico, Liliana Castellanos nga Bolivia, Natalia Nafalieva nga Rusia dhe Elizabeth Muir nga Washingtoni e cila i krijoi punimet e saj në Afganistan.

Janelle Funair është një stiliste nga Orangia, që përdor pambukun organik dhe po punon për një linjë prodhimi tërësisht me material organik. “Tani për tani po prodhojmë veshje në Miami të Floridas dhe punësojmë 10 artizanë nga e gjithë bota, kryesisht nga Amerika Latine. Kemi punësuar artizanë në Kolumbi për të prodhuar copën”, thotë stilistja.

Në shfaqje u paraqitën punët e stilistit Thomas Christopher me rrobat e banjës për meshkuj, në koleksionin për Cha-cha Boy. "Është një mënyrë për të mbështetur vendet ku është e nevojshme asistenca financiare".

Pasi punoi me fëmijët në rrugët e Amerikës Latine, stilistja Heidi Rauch u frymëzua për të krijuar veshje me material organik të prodhuar në fabrika të drejtuara nga familje të vogla në Brazil. "Në tre vitet e fundit, kemi punësuar qindra të rinj. Këtu nuk shfrytëzohen punëtorët. Ata kanë siguracion shëndetësor", thotë stilistja. Fushata “Moda Lufton Varfërinë” po përpiqet të edukojë konsumatorët se blerjet e tyre mund të kenë një ndikim të madh në botë.

XS
SM
MD
LG