Lidhje

Organizatat në ndihmë të grave që vuajnë nga dhuna në familje


Dhuna në familje është një problem i zakonshëm në vende të ndryshme të botës. Këtu në Shtetet e Bashkuar, një organizatë private me qendër në Baltimore të shtetit Maryland, përpiqet ta zbusë këtë problem, duke u ardhur në ndihmë viktimave të dhunës. Kush e njeh veprimtarinë e kësaj organizate, thotë se “The House of Ruth”, “Shtëpia e Ruthit”, u ka ndryshuar jetën mijëra grave dhe fëmijëve.

"Tani jeta ime është shumë e bukur. Sapo shkova në qendrën “House of Ruth” mësova disa gjëra: fillimisht, si ta duash dhe vlerësosh vetveten... Tani unë jam një grua e pavarur dhe gjithshka po më shkon mjaft mirë"... Brenda thotë se 5 vjet më parë, ajo dhe 11 fëmijët e saj gjetën strehë tek qendra “The House of Ruth”, pasi u larguan nga bashkëshorti i saj, që i keqtrajtonte. Ashtu sikurse edhe shumë viktima të tjera të dhunës fizike, ajo kërkoi që të mos identifikohej. "Qëndrova në “House of Ruth” me të 11 fëmijët e mi, për 18 muaj me radhë"... Brenda thotë se ishte në rrezik për jetën dhe se nuk mund t’i braktiste fëmijët e saj. Por ajo shton, se sapo u ndjenë më të sigurtë, ajo bashkë me fëmijët, filluan të ndiqnin programe terapie dhe arsimore dhe se ajo mësoi shumë gjëra, që e ndihmuan të gjente punë, të shkonte në shkollë dhe përballonte vetë jetën.

Por Brenda nuk është e vetme. Carol Alexander është drejtoreshë e organizatës që prej 24 vjetësh."Sipas statistikave, 1 në 4 gra keqtrajtohen nga partneri. Rreth 3 mijë gra në vit vdesin, për shkak të dhunës familjare, të ushtruar nga partneri", thotë Alexander.

“The House of Ruth” ka qenë një vendstrehim i sigurtë për mbi 100 mijë gra dhe fëmijë gjatë 30 vjetëve të fundit. Kjo organizatë u themelua nga një grup grash, të cilat nuk kishin para, por tani ajo ka një numër përherë e më të madh vullnetaresh dhe merr ndihma qeveritare dhe donacione private, që kapin shifrën e rreth 6 milionë dollarëve në vit.

Drejtoresha Carol Alexander, thotë se shumë gra vijnë në qendër në mes të natës, vetëm me fëmijët e tyre dhe me një qese me plaçka. Shumica e tyre janë të gjendje të rëndë shpirtërore."Ne u kemi shpëtuar jetën një numri të pafund grash. Kemi ndihmuar me qindra gra dhe një numër po aq të madh fëmijësh, të rindërtojnë jetën e tyre".

“The House of Ruth”, ka sot disa qendra në shtetin e Marylandit, me 84 shtretër dhe ku përfshihen edhe 6 apartamente, ku gratë jetojnë përkohësisht deri për dy vjet, nën mbrojtjen e organizatës.

Në shërbimet që ofron “The House of Ruth” përfshihen çerdhe dhe kopështe për fëmijët, avokatë mbrojtës, terapia për gratë me probleme emocionale, apo kurset e kualifikimit. Po ashtu, organizata ofron edhe këshillim për fëmijët, që synon të ndalë, atë që drejtoresha Carol Alexander e quan, “ciklin e dhunës”. "Shpeshherë fëmijët ndjekin shembullin e baballarëve. Në kurset tona kemi një program, ku u mësojmë fëmijëve si të krijojnë marrëdhënie të mira me njerëzit".

Margarita është një tjetër grua, e cila nuk do që t’i publikohet mbiemri. Ajo punon si sekretare në “The House of Ruth”. Vetëm disa vjet më parë, ajo erdhi në qendër me fëmijët e saj të varfër, e firkësuar, për të kërkuar ndihmë. Ajo thotë, se nëse do të kishte vazhduar të qëndronte me bashkëshortin e saj, ndoshta sot nuk do të ishte më. "Kurse tani unë po blej shtëpi dhe kredinë e makinës e kam shlyer. Fëmijët po i rris vetë. Nuk është e lehtë, por mund t’ia dalësh mbanë".

Carol Alexander thotë se ka besim të madh në punën që bën “The House of Ruth” dhe se organizata është e suksesshme. Por ajo shton se duhet të ndryshojë shoqëria, në mënyrë që njerëzit të mos përdorin dhunën, si një mjet për të shkarkuar zemërimin nga pakënaqësitë e tyre.//rd//

XS
SM
MD
LG