Lidhje

Delegacioni i Kosovës mbërrin në Austri për raundin e fundit të bisedimeve


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Agim Çeku mbërritën dje në mbrëmje në Austrisë për një raund përfundimtar bisedimesh mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit për të ardhmen e Kosovës. Nga sot e deri më 28 nëntor palët do të takohen disa herë radhazi në qytetin Baden pranë Vjenës, ndërsa do të zhvillojnë takime të veçanta me treshen e grupit të Kontaktit. Deri tani në bisedime, palët kanë mbajtur qëndrime krejt të kundërta. Beogradi ofron autonomi në shkallë të gjerë por kërkon ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën, ndërsa Prishtina thotë se pavarësia është e pa negociueshme.

Delegacionet takohen të hënën në Hotelin Schloss Weikersdorff për një përpjekje triditore për të afruar qëndrimet e tyre.

Duke arritur në hotel të dielën në mbrëmje, Presidenti Sejdiu tha se delegacioni i Kosovës kishte shkuar për të shprehur edhe një herë vizionin e tij për të ardhmen e Kosovës.

“Objektivi ynë kryesor është pavarësia e Kosovës. Për këtë ne jemi të përgatitur të kemi një shtet modern dhe sovran për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbrojtjen e pakicave në Kosovë. Kjo është dëshira jonë, për këtë punojmë gjithmonë dhe është garancia që ne ofrojmë”.

Kryeministri i Serbisë Vojislav Koshtunica ka paralajmëruar se vendi i tij nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës e cila sipas tij është e paligjshme.

Deri tani në negociata nuk është arritur ndonjë marrëveshje dhe të dyja palët shkojnë në bisedimet përmbyllëse me qëndrime tërësisht të kundërta.

Ekipi i negociuesve të Kosovës pritet të shpalosë më shumë hollësi rreth propozimit për një traktat të miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si vende të pavarura. Beogradi ndërkaq paralajmëron se do të shpjegojë më hollësisht propozimet e tij për një autonomi të gjerë sipas modelit të Hong Kongut, apo ishujve Oland të Finlandës ku jeton popullsi suedeze por nën sovranitetin finlandez. Idetë e tilla janë refuzuar në tërësi nga Prishtina, sikurse edhe idetë për status neutral apo zgjidhje tjera që nuk çojnë drejt pavarësisë së Kosovës.

Të dielën, kryeministri Agim Çeku shprehu besimin se pavarësia e Kosovës është një objektiv i realizueshëm.

“Kosova është një rast i veçantë dhe duhet të gjykohet nga veçantitë e saj dhe ajo që ata (serbët) po ofrojnë janë vetëm modele nga e kaluara, ndërsa ne po ofrojmë modelin e së ardhmes. Modeli ynë është ai për një Kosovë dhe një Serbi”.

Zoti Çeku tha gjithashtu se shpresonte që një marrëveshje mund të arrihet pa dhunë në Kosovë.

“As nuk ka pse të ketë dhunë dhe nuk ka asnjë synim për dhunë. Unë besoj se do ta mbyllim këtë proces paqësisht në partneritet me komunitetin ndërkombëtar dhe si një zhvillim pozitiv për të gjithë rajonin, përfshirë Serbinë”.

Treshja e Grupit të Kontaktit e përbërë nga i dërguari amerikan Frank Wisner, ai i Bashkimit Evropian, Wolfgang Ischinger dhe i dërguari rus Alexandër Botsan Khartchenko, planifikon që pas këtyre bisedimeve, më 3 dhjetor të qëndrojë në Prishtinë dhe Beograd ndërsa me dhjetë dhjetor do t'i raportojë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për rrjedhën e negociatave.

Ekipi i Prishtinës është i vendosur që shumë shpejt pas dhjetë dhjetorit të merret vendimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por siç thuhet, në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës, duke lënë të kuptohet se mund ta njohin atë, nëse bisedimet dështojnë.

Megjithatë Rusia ka mbështetur Serbinë e cila është shprehur kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë duke tërhequr vërejtjen se do të ndërmarrë veprime për ta zhvlerësuar një vendim të tillë.//kk//

XS
SM
MD
LG