Lidhje

Vazhdojnë të vijnë delegacionet për konferencën e Anapolisit


Presidenti Bush pret të hënën në një takim në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësin izraelit dhe atë palestinez, ndërkohë që vazhdojnë të mbërrijnë delegacionet për konferencën e Paqes që do të mbahet në Anapolis të Merilendit. Qëllimi i konferencës është të çojë proçesin e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve në një fazë të re.

Konferenca do të nisë me një darkë në departamentin e Shtetit sonte në mbrëmje dhe do të pasohet nga një ditë e ngjeshur me bisedime ditën e martë në Akademinë e Marinës në Anapolis.

Kjo konferencë do të shënojë herën e parë në më tepër se 10 vjet që Izraeli do të ulet në një tavolinë bisedimesh me përfaqësues të 16 vendeve Arabe si dhe të Lidhjes Arabe.

Mes vendeve që kanë premtuar pjesmarrje në konferencë janë Arabia Saudite dhe Siria, asnjëra nga të cilat nuk e njeh të drejtën e Izraelit për ekzistencë. Siria ishte e fundit që ra dakort për pjesmarrjen, duke deklaruar të dielën se do të përfaqësohet nga zëvendës ministri i jashtëm.

Një zëdhënëse e qeverisë e Izraelit e mirëpriti lajmin nga Damasku dhe e anashkaloi keqardhjen që Siria refuzoi të niste ndonjë zyrtar të një rangu më të lartë.

Gjatë një interviste për televizionin CNN zëdhënësja Miri Eisen tha se fakti që si Riadi dhe Damasku do të jenë në të njëjtën tryezë është i rëndësishëm. Dhe ndërsa bisedimet do të përqëndrohen në proçesin e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve, ajo tha se takimi i Anapolisit mund të hapë një udhë të re drejt zgjidhjes së mosmarrveshjeve të Izraelit dhe Sirisë mbi fatin e Lartësive Golan.

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë që ne jemi për paqen jo vetëm me Sirinë, por dhe me palestinezët, dhe ne e kuptojmë se paqja do të vijë me kompromise të vështira nga të dyja palët”.

Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rice që do të drejtojë konferencën e Anapolisit, ka shprehur dëshirën për të arritur një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve përpara se Presidenti Bush të largohet nga detyra në Janar të vitit 2009. Miri Eisen tha në CNN se ajo shpreson që qëllimi final mund të realizohet, por ka theksuar se çështjet tejet të vështira ende mund të jenë të negociueshme.

“Kur e shikon problemin në thellësi, vërtet nuk bëhet fjalë thjesht për detaje të vogla dhe ne po përpiqemi t’u japim zgjidhje”.

Po në të njëjtin program televiziv të CNN-it, ndërmjetësi palestinez Saeb Erakat gjithashtu shprehu optimizëm të përmbajtur për këtë çështje. Ai tha se një marrëveshje në një vit, është e mundur , duke shtuar se për të dyja palët ekziston ajo që ai e quajti” nevoja për paqe”.

“Mendoj se është një nevojë e domosdoshme si për palën Izraelite dhe për atë palestineze. Marrëveshjet pikërisht këtë nevojë reflektojnë. Dhe mendoj se si izraelitët dhe palestinezët kanë nevojë të hedhin këtë hap historik”.

Ai theksoi se në katër muajt e fundit kryeministri i Izraelit Ehud Olmert dhe presidenti Plaetinez Mahmoud Abbas kanë punuar mbi çështjet delikate, dhe një proçes ndërmjetësimi është në tavolinën e bisedimeve.

“Dhe unë besoj se ne nuk duam të kthehemi mbrapa. Mendoj se është koha për vendime, dhe jo për negociata”.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare Stephen Hadley tha se është e qartë që të dy palët duan që proçesi i paqes të eci përpara, duke shtuar se administrata e Presidentit Bush e ndjen se është koha e duhur që t’i bashkojë ata së bashku në bisedime me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.//kk//

XS
SM
MD
LG