Lidhje

Në Austri fillon raundi i fundit i bisedimeve Prishtinë-Beograd mbi statusin përfundimtar të Kosovës


Ndërmjetësi rus në bisedimet për statusin e Kosovës thotë se ka pak shpresa për të mos thënë aspak që të arrihet ndonjë rezultat në raundin e fundit të negociatave.

I dërguari rus, Alexander Botsan-Karçenko i bëri këto komnete sot, para bisedimeve në Austri mes ndërmjetësve ndërkombëtarë dhe delegacioneve shqiptarë dhe serbë të nivelit të lartë. Bisedimet e ndërmjetësura nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropin dhe Rusia nuk kanë shënuar ndonjë përparim që nga hapja e tyre në muajin gusht.

Gazeta "Blic" e Beogradit citon sot zotin Botsan-Karçenko, i cili ka thënë se Rusia do të këmbëngulë në vazhdimin e bisedimeve për statusin edhe përtej afatit të 10 dhjetorit të caktuar nga Kombet e Bashkuara, në qoftë se nuk arrihet marrëveshje.

Serbia i përmbahet idesë së një Kosove me autonomi të gjerë, por të pashkëputur nga Serbia:

“Delegacioni serb ka ardhur në këto bisedime me vullnetin e mirë për të arritur një zgjidhje me kompromis, tha presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. I kemi ofruar palës shqiptare disa propozime që tregojnë se jemi shumë elastikë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme bashkarisht. Tani topi është në fushën e shqiptarëve. Shpresojmë që në këto tri ditë do të shohim rezultate përfundimtare”.

Megjithatë Presidenti i Serbisë thekson se edhe në këto bisedime, qëndrimi i tyre mbetet i pandryshueshëm: pavarësia e Kosovës është e papranueshme.

Edhe delegacioni shqiptar nga ana e tij shprehet se ka shkuar me qëndrime më elastike në këto bisedime, megjithëse nënvizon se kërkesa për pavarësi mbetet e panegocieshme:

“Ky është takimi i fundit ndërmjet delegacionit shqiptar dhe atij serb përmes treshes ndërkombëtare, tha Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Besoj se delegacioni i Prishtinës do të jetë shumë elastik dhe novator ta mbyllur këtë proces. Jemi gati për marrjen e vendimit. Shpresojmë se shumë shpejt pas kësaj, bashkësia ndërkombëtare do të jenë të gatshme ta njohin Kosovën si shtet të pavarur. Kosova do të jetë atdheu i të gjithëve, do të mbrojë të drejtat e pakicave dhe si kryeministër i ardhshëm i Kosovës do të bëj të pamundurën në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Kosova si shtet i pavarur, vazhdon zoti Thaçi, do t’i shërbejë paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon dhe do të jetë një fqinj i mirë për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Si dhe së shpejti për Serbinë. Pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë edhe për Shtetet e Bashkuara dhe BE-në gjithashtu thotë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryeministri serb Vojislav Kostunica e quan pavarësinë e Kosovës të paligjshme, ndërsa kryeministri i Kosovës Agim Çeku thotë se nuk do të pranojë asgjë më pak sesa pavarësinë.

Me afrimin e 10 dhjetorit, kur përfundojnë edhe negociatat e fundit 120 ditëshe, si Beogradi ashtu edhe Prishtina mbeten të palëkundura në qëndrimet e tyre. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në treshen ndërmjetësuese, diplomati gjerman Volfgang Ishinger shprehet se nuk ka shenja se negociata të mëtejshme pas 10 dhjetorit do t’i zbusnin këto qëndrime.

Shtetet e Bashkuara e kanë quajtur të pashmangshme pavarësinë e Kosovës. (ze)

XS
SM
MD
LG