Lidhje

Kosovë: Përmasa shqetësuese të dhunës në familje

  • Edona Demaj
  • Prishtinë

Vetëm deri në muajin shtator, në Shërbimin Policor të Kosovës janë raportuar 840 raste të dhunës në familje, pjesa dërmuese e të cilëve janë raste të dhunës ndaj gruas. Punonjësit humanitare radhisin krizën ekonomike si një ndër faktorët kryesorë, që ndikon në problemet familjare dhe rrjedhimisht, edhe shtimin e dhunës brenda saj.

Në Javën Ndërkombëtare kundër Dhunës në Familje, Naime Sherifi, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, thotë se problemi i dhunës në familje nga viti në vit po shënon rritje.

" Ne e dimë se Kosova është një vend i cili ka vetëm 9 vjet që ka dalë nga lufta. Baza ekonomike e familjeve është e ultë dhe kriza ekonomike vetëm sa thellohet. Për shkak të këtyre krizave edhe dhuna në familje është duke u rritur.... ", thotë përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Sipas zonjës Sherifi, janë fëmijët ata mbi të cilët tërthorazi ushtrohet dhuna në familje. Ajo thotë se në Qendrën për mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, viktimave të dhunës u mundësohet qëndrimi deri në tre muaj, dhe më pas institucionet përkatëse duhet të merren me rastet, por sipas saj, edhe pas periudhës 90 ditëshe, viktimat mund të vazhdojnë qëndrimin e tyre në strehimore deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

"Aty ku ka dhunë, viktimat e para dhe më të rënda janë fëmijët edhe po që se prindi nuk ka ushtruar dhunë drejtpërdrejtë në te. Fëmija është personi i dytë i cili abuzohet në aspektin psikik. Fëmijët e përjetojnë dhunën edhe më shumë se nëna e cila është keqtrajtuar fizikisht", - thotë zonja Sherifi.

Të dhënat zyrtare nga autoritetet e sigurisë flasin për 840 raste të dhunës familjare në nëntëmujorin e parë të vitit 2007. Sipas toger Besim Berishës, Shef i sektorit të hetimeve të dhunës në familje, kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe, por ka raste të cilat nuk raportohen fare në polici.

"Për këtë nëntëmujor në SHPK janë raportuar 840 raste të dhunës në familje, vepra të ndryshme penale duke filluar nga rastet më të rënda, vrasjet e deri te rastet më të lehta, si lëndimet trupore. Nga këto raste, rreth 80 për qind të viktimave konsiderohet të jenë femra, ndërkohë që 20 për qind meshkuj", - thotë toger Besim Berisha.

Sipas një raporti të institutit për shoqëri të hapur, në Kosovë nuk ka studime të sakta mbi shkallën e dhunës në familje, e cila vazhdon të mbetet ende në përmasa shqetësuese.//lk

XS
SM
MD
LG