Lidhje

Llotaria amerikane e vizave: Aplikimi vazhdon deri më dy dhjetor


Shtetasit e huaj, në kërkim të mundësisë për të ardhur që të jetojnë në Amerikë, mund të aplikojnë nëpërmjet internetit për llotarinë e përvitshme kombëtare, e cila quhet llotaria e vizave. Ky program i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka tërhequr miliona njerëz çdo vit dhe ka sjellë në Shtetet e Bashkuara më tepër se 500 mijë imigrantë, që nga viti 1995. Afati i fundit për plotësimin e formularëve këtë vit, është data 2 dhjetor.

Çdo vit ky program, nëpërmjet llotarisë që i përzgjedh kandidaturat në mënyrë rastësore, lëshon rreth 50 mijë viza për qëndrimin e përhershëm në Shtetet e Bashkuara, që njihen ndryshe si "Green Card", apo “karta e gjelbër”.

Kongresi amerikan e filloi llotarinë e vizave në vitin 1990, për të sjellë në Amerikë njerëz nga vende me nivel të ulët të emigracionit. Vendet që kanë dërguar në Shtetet e Bashkuara gjatë 5 vjetëve të fundit, më tepër se 50 mijë njerëz me anë të këtij programi, janë përjashtuar prej tij.

Personat që duan të aplikojnë në këtë llotari, që të kualifikohen, duhet të kenë diplomën e shkollës së mesme, ose dy vjet eksperiencë pune në një sektor të caktuar, që kërkon dy vjet trajnimi. Këta njerëz, mund të aplikojnë falas, përmes internetit, në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Viliam Kotlarik është i lindur në Sllovaki. Tre vjet më parë, ai plotësoi aplikimin për veten dhe gruan e tij, Tereza. Ajo çka nisi si një ikje drejt së panjohurës, tashmë ka ndryshuar jetën e tyre.

“ Gruaja më telefonoi dhe më tha që – Kam një njoftim të papritur, se kam fituar llotarinë e një kartë të gjelbër. Por unë nuk kam kërkuar një gjë të tillë. E ke idenë ti për këtë gjë? – Unë i thashë: - harrova të të them, por unë kam aplikuar. Mendova se shanset për të fituar ishin të pakta, por megjithatë, unë aplikova”.

Çifti Kotlarik, dorëzoi dokumentat- çertifikatat e lindjes dhe të martesës, diplomat, dëshmitë nga organet e ligjit, dhe në Shkurt të vitit 2006, pasi kryen dhe një vizitë mjekësore dhe një intervistë në ambasadën amerikane në vendin fqinj, Republikën Çeke, ata morën kartat e gjelbërta.

Ndonëse me një proçedurë të vëzhguar me kujdes në vendin nga vijnë aplikantët, kritikët thonë se seleksionimi i rastësishëm përmes llotarisë dhe kërkesat e pakta për aplikantët, mund t’i hapë dyert për këdo që të hyjë në vend, përfshirë dhe terroristët.

Ndihmës sekretari për shërbimin e vizave në Departamentin Amerikan të Shtetit, Tony Edson, nuk është dakort me këtë mendim.

"Ne mendojnë se shqyrtimi i kujdesshëm që ne u bëjmë aplikantëve, mënyra e hollësishme e intervistimit, mund të sigurojnë integritetin e proçesit të vizave, si dhe sigurinë e kufijve tanë”.

Familja Kotlariks thotë se ata janë të lumtur për mundësinë që iu ka krijuar llotaria. Ata thonë se ky program, dërgon një mesazh të rëndësishëm në pjesën tjetër të botës.

“Secili ka mundësi të njëjta dhe shanse të barabarta. Dhe kjo është ajo çka më pëlqen këtu në Amerikë”.

Por njerëzit nuk do të mund ta kenë këtë mundësi dhe për shumë kohë. Në fillim të këtij viti, të dyja dhomat e Kongresit miratuan një projekt-ligj, i cili mund t’i eliminojë fondet për këtë llotari. Projekt ligji do të diskutohet pastaj para një komisioni të senatorëve dhe kongresmenëve.

Aplikimet per llotarine e vizave mund te behen duke shkuar ne faqen e Internetit http://www.dvlottery.state.gov

//lk

XS
SM
MD
LG