Lidhje

Presidenti Bush optimist për Konferencën mbi Lindjen e Mesme


Presidenti Bush u shpreh me tone optimiste ndërkohë që delegatët e Konferencës për Lindjen e Mesme të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara po mblidhen sot në Annapolis të shtetit Maryland. Në vigjilje të koneferencës, Presidenti Bush u takua në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë.

Përfaqësues nga rreth 50 vende dhe organizata ndërkombëtare do të mblidhen nesër në kampusin e Akademisë Detare amerikane në Annapolis, ku do të përqendrohen te rrugët për të shtyrë përpara procesin e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

Mbrëmë, ata u mblodhën në një sallë elegante pritjesh të Departamentit amerikan të Shtetit për një banket të shtruar nga Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice dhe dëgjuan fjalë inkurajimi nga President Bush.

"Jemi mbledhur këtë javë sepse ndajmë një objektiv të përbashkët: dy shtete demokratike, Izraeli dhe Palestina, që të jetojnë krahas njëri-tjetrit në paqe dhe siguri," tha Presidenti Bush.


Në dollinë e tij, Presidenti tha se Izraeli dhe Autoriteti Palestinez kanë tani udhëheqës që janë të gatshëm të marrin vendimet e vështira të nevojshme për të sjellë paqen në rajon. Ai tha se konferenca e Anapolisit do t’u japë mundësinë vendeve dhe institucioneve të tjera të shfaqin mbështetjen e tyre.


"Arritja e këtij objektivi kërkon angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. Sonte, unë deklaroj përsëri angzhimin tim personal në emër të Shteteve të Bashkuara, ndaj të gjithë atyre njerëzve në Lindjen e Mesme të cilët dëshirojnë të jetojnë në liri dhe në paqe: ne qendrojmë pranë jush në konferencën e Anapolisit dhe më tej."


Po dje, Presidenti Bush u takua veç e veç në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Ehud Olmert dhe me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas.

Duke i uruar mirëseardhjen udhëheqësit palestinez, Presidenti Bush theksoi se ai nuk e sheh rolin e tij si paqebërës por më tepër si ndërmjetës.

"Ne dëshirojmë t’ju ndihmojmë. Ne duam që të ketë paqe. Ne duam që njerëzit në Territoret Palestineze të kenë shpresë. Dhe ne ju falenderojmë për gatishmërinë tuaj për t’u ulur në tryezë me Izraelin dhe për të negociuar marrëveshjen."


Presidenti Abbas e mirëpriti këtë deklaratë mbështetëse.

"Kemi shumë shpresë se kjo konferencë do të çojë në bisedime për statusin e përhershëm, në bisedime të zgjeruara rreth të gjitha çështjeve të statusit të përhershëm të cilat do të rezultonin një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe popullit palestinez, një marrëveshje për garantimin e sigurisë dhe të qendrueshmërisë," tha Presidenti Abbas.

Në fillim të takimit të tij me Presidentin Bush, Kryeministri Olmert tha se prania e kaq shumë delegacioneve në Annapolis do të sjellë një ndryshim. Por ai e bëri të qartë se në fund të fundit do të jenë izraelitët dhe palestinezët që do të vendosin për fatin e tyre.

"Ju falenderoj për përpjekjet që ju, Presidenti Bush, keni bërë për realizmin e kësaj konference, si dhe Sekretaren e Shtetit së bashku me ne për të arritur në këtë pikë, pas së cilës ne dhe palestinezët do të ulemi së bashku në Jeruzalem për të dalë me diçka të mirë e cila do të krijojë shpresa të mëdha për popujt tanë."


Si kryeministri Olmert edhe Presidenti Abbas folën për dëshirën e tyre për arritjen e një marrëveshjeje para se Presidenti Bush të largohet nga posti, pas 14 muajsh.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino tha se në takimet e tyre private, Presidenti Bush u bëri thirrje dy udhëheqësve të mos e lenë pa shfrytëzuar këtë rast. //ii


XS
SM
MD
LG