Lidhje

Presidenti Bush: Izraelitët dhe palestinezët kanë rënë dakord të fillojnë negociatat


Presidenti Bush tha se izraelitët dhe palestinezët kanë rënë dakord të fillojnë negociatat, në përpjekje për të arritur një marrëveshje paqeje para fundit të vitit 2008.

Zoti Bush e bëri këtë njoftim në hapje të Konferencës për Lindjen e Mesme sot në Annapolis të shtetit Maryland. Ai lexoi një dokument të përbashkët, të hartuar nga izraelitët dhe palestinezët, në të cilin ata shprehin vendosmërinë e tyre për t’u dhënë fund dekadave të tëra të gjakderdhjeve dhe për të vendosur paqen në rajon.

Në deklaratë thuhet se një komitet drejtues, i udhëhequr nga kryetarët e delegacioneve të të dy palëve do të mblidhet më 12 dhjetor. Në të thuhet gjithashtu, se Presidenti palestinez, Mahmud Abaz dhe Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, do të vazhdojnë takimet dy javore në vazhdën e negociatave. Presidenti Bush pranoi se rruga drejt paqes do të jetë e vështirë. Ai tha se të dy palët duhet të punojnë së bashku për krijimin e një shteti të pavarur dhe demokratik palestinez.

Zoti Abaz kërkoi që palestinezët të kenë si kryeqytet Jeruzalemin Lindor. Ai tha se ka ardhur koha që gjakderdhja, dhuna dhe pushtimi të marrin fund. Zoti Abaz tha gjithashtu, se duke patur besim reciprok, paqja është e mundur.

Zoti Olmert, i cili foli pas Presidentit Bush dhe Presidentit who Abaz, tha se të gjitha çështjet kryesore do të diskutohen me palestinezët dhe shprehu besimin se mund të arrihet marrëveshje për ekzistencën e dy shteteve për të dy popujt. Zoti Olmert tha gjithashtu se procesi do të jetë i vështirë.//lk

XS
SM
MD
LG