Lidhje

Komandanti i NATO-s: KFOR, i gatshëm të përballet me kërcënimet e sigurisë

  • Edona Demaj
  • Prishtinë

Komandanti i trupave paqeruajtëse të NATO-s, Gjenerali Ksavier Bu De Marnak, tha sot se KFOR-i është i gatshëm të përballet me çfarëdo kërcënimi të mundshëm për sigurinë në Kosovë.

Ai i bëri këto komente gjatë një manifestimi me rastin e 28 Nëntorit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë, që në Kosovë kremtohet si festë e flamurit kombëtar shqiptar.

“Në këtë moment të ndryshimeve të shpejta, besoni se KFOR-i është e vetmja organizatë, e cila punon në bashkërendim të ngushtë me Shërbimin Policor të Kosovës dhe Policinë e UNMIK-ut për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për popullin e Kosovës. Kjo është përgjegjësia jonë dhe ushtarët e KFOR-it janë të përgatitur dhe të aftë për këtë, tha komandanti i KFOR-it duke nënvizuar se ushtarët e tij janë të përkushtuar dhe të përgatitur që të përballen më çfarëdo kërcënimi ndaj Kosovës qoftë nga jashtë apo nga brenda."

Komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Gjeneral Sylejman Selimi, tha gjatë këtij manifestimi se organizata që ai drejton është e gatshme të transformohet menjëherë në forcë moderne mbrojtëse të vendit.

"Jemi të vetëdijshëm se në asnjë mënyrë nuk mund të ecim para proceseve të gjithëmbarshme politike, por në kontekstin e krijimit të rrethanave të reja ne do të marrim përgjegjësinë për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe do ta bëjmë atë me këshillat më të mira ushtarake të NATO-s”, - tha gjeneral Selimi.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Lutfi Haziri, tha se forca e ardhshme e sigurisë më vend do të ndërtohet mbi themelet e Trupave Mbrojtëse që janë dëshmuar se janë të denja për të qenë partnere të NATO-s.

“Po nderoni Flamurin Kombëtar, po e nderoni epokën e lavdishme të Skënderbeut, strategut, udhëheqësit ushtarak të përmasave botërore i cili me këtë flamur në ballë mbrojti me dinjitet civilizimin evropian dhe perëndimorë. Po nderini 28 Nëntorin e vitit 1912, ngjarje që ka pasur rol të madhe në ruajtjen dhe forcimin të identitetit tonë kombëtarë. Po nderoni Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantin Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit tonë ", - tha zëvendëskryeministri, duke shtuar se shënimi i “Festave të Nëntorit” po ndodh në prag të përmbylljes së statusit të Kosovës që do të jetë pavarësia.

Me rastin e 28 Nëntorit, e cila shënohet si festa më e madhe e shqiptarëve, për nesër janë paralajmëruar manifestime të ndryshme.//lk

XS
SM
MD
LG