Lidhje

Bisedimet Prishtinë-Beograd; Një ditë tjetër negociatash pa kompromis


Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica thotë se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është i vetmi organ që gëzon autoritetin për të vendosur statusin përfundimtar të Kosovës. Zoti Koshtunica i bëri këto komente në Baden të Austrisë, ku vazhdon raundi i fundit i bisedimeve 120 ditëshe ndërmjet autoriteteve serbe dhe udhëheqësve të Kosovës. Deri tani nuk ka pasur shenja kompromisi në bisedimet që do të përfundojnë nesër. Shqiptarët e Kosovës këmbëngulin në kërkesën e tyre për pavarësi të plotë, ndërsa Serbia i përmbahet qendrimit për ruajtjen e sovranitetit serb mbi Kosovën. Rusia mbështet Serbinë dhe ka kërcënuar t’i vërë veton çdo rezolute të Këshillit të Sigurimit që nuk pranohet nga Beogradi. Periudha 120 ditëshe për negociata përfundon më 10 dhjetor, kur ndërmjetësit do t’i paraqesin raportin e tyre Kombeve të Bashkuara. Serbia dhe Rusia po bëjnë thirrje për vazhdimin e negociatave pas asaj date.

Në Austri, delegacionet shqiptare dhe serbe vazhduan diskutimet me ndërmjetësimin e treshes ndërkombëtare dhe më pas në takime të veçanta me të. Negociatat kanë arritur tani në një pikë kritike, kur në më pak se 3 javë procesi 120 ditësh përfundon dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së do t’i paraqitet raporti. Palët vazhdojnë të palëkundura në qëndrimet e tyre.

Kryetari i Partisë Dekokratike të Kosovës, Hashim Thaçi theksoi në komentet e tij sot pas takimit se nuk do të ketë kompromis për të ardhen e Kosovës: "Nuk mund të diskutojmë më; nuk mund të vazhdojmë negociatat për status për 100 vjet. Nuk do të ketë kompromis për statusin – Kosova do të jetë shtet i pavarur. Ky proces do të vazhdojë me paqe dhe stabilitet," tha zoti Thaçi.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç i përgjigjet pyetjes së gazetarëve nëse ka vend për vazhdimin e negociatave: "Ju pyesni a është me vlerë të vazhdojnë përpjekjet për paqe? Mendoj se po!" thotë zoti Jeremiç.

Rusia, aleate tradicionale e Serbisë në këto bisedime po përpiqet të paraqesë argumente për një raund tjetër negociatash përtej afatit të 10 dhjetorit. Aleksander Botsan-Karçenko është përfaqësuesi i Moskës në Treshen Ndërkombëtare:

"Rusia mbështet vazhdimin e procesit të negociatave pas 10 dhjetorit dhe ne do të këmbëngulim për vazhdimin e negociatave pas 10 dhjetorit, por na nevojiten argumente të forta për këtë," thotë përfaqësuesi rus.

Sesioni aktual është i fundit në procesin 120 ditësh të negociatave që synonin gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës. //ad//

XS
SM
MD
LG