Lidhje

Lavrov kritikon propozimet amerikane për sistemin e raketave


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov i kritikoi propozimet më të fundit të Shteteve të Bashkuara lidhur me planin për vendosjen e një sistemi të mbrojtjes nga raketat në Evropë.

Zoti Lavrov tha sot në një intervistë të transmetuar në televizionin rus, se propozimet që Moska mori javën e kaluar nga Uashingtoni, janë një hap prapa nga mirëkuptimi që të dy vendet arritën në tetor.

Duke folur në Uashington, pas takimit me Sekretaren amerikane të Shtetit Kondoliza Rice, zoti Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara po ndjekin një plan të njëanshëm në Evropën Lindore dhe se thjesht kërkojnë ndihmën e Rusisë, në vend të bashkëpunimit të vërtetë me të.

Ai tha gjithashtu, se Moska do të vazhdojë t’i studjojë propozimet dhe të përpiqet të arrijë mirëkuptim me Washingtonin. Shtetet e Bashkuara kanë në plan të vendosin 10 interceptorë raketash në Poloni dhe radarë udhërrëfyes në Republikën Çeke.

Moska thotë se vendosja e sistemit mbrojtës nga raketat pranë kufijve rusë përbën një kërcënim për sigurinë e vendit. (ze)

XS
SM
MD
LG