Lidhje

Presidenti Bush sot takime me palestinezin Abas dhe izraelitin Olmert


Presidenti Bush do të takohet sot veç e veç me Presidentin palestinez Mahmud Abas dhe me Kryeministrin izraelit Ehud Olmert përpara se të tre udhëheqësit të takohen të tre në Uashington. Bisedimet e sotme vijnë pas marrëveshjes së arritur dje nga izraelitët dhe palestinezët për të rifilluar menjëherë bisedimet e paqes. Në një njoftim të bërë dje në konferencën për paqen në Lindjen e Mesme të mbajtur në Anapolis të shtetit Merilend, zoti Olmert dhe zoti Abbas thanë se qeveritë e tyre do të rifillojnë bisedimet e bllokuara prej kohësh në përpjekje për të arritur një marrëveshje paqeje sipas formulës së dy shteteve deri në fund të vitit 2008.


KONFERENCA E ANAPOLISIT – ÇFARË U ARRIT

Njoftimi mbi angazhimin për arritjen e një marrëveshjeje për paqe para mbarimit të mandatit të Presidentit Bush erdhi si një suprizë tjetër, pas fjalimit të hapjes që Presidenti Bush mbajti në konferencë.

Duke qendruar në tribunën e konferencës së bashku me kryeministrin izraelit Ehud Olmert dhe presidentin palestinez Mahmoud Abbas, Presidenti Bush lexoi një deklaratë të përbashkët të tyre ku shprehej zotimi për bisedime "të fuqishme, të pandërprera dhe të vazhdueshme” për zgjidhjen e konfliktit sipas formulës së dy shteteve deri në fund të vitit 2008.

Palët ngritën një komitet drejtues i cili do të mbikqyrë procesin që do të fillojë më 12 dhjetor. Komiteti do të mbështetet nga takimet e rregullta që do të zhvillojnë dy udhëheqësit dy herë në muaj.

Ata u angazhuan gjithashtu të venë në jetë të gjitha detyrimet e tyre në bazë të planit të paqes të vitit 2003 të paraqitur nga Kuarteti ndërkombëtar për Lindjen e Mesme, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara. Ata thanë se procesi do të mbikqyret nga Shtetet e Bashkuara.

Në fjalimin e mbajtur përpara përfaqësuesve të 50 vendeve dhe organizatave, Presidenti Bush tha se tani është pikërisht koha për të ndërmarrë hapin drejt vendosjes së paqes sepse të dyja palët kanë udhëheqës të vendosur për arritjen e paqes dhe për të luftuar terrorizmin:

"Një betejë ka filluar për të ardhmen e Lindjes së Mesme dhe ne nuk duhet t’ua lemë fitoren ekstremistëve. Me veprimet e tyre të dhunëshme dhe me përbuzjen për jetën njerëzore, esktremistët po përpiqen t’i imponojnë popullit palestinez një vizion të errët, një vizion i cili ushqehet nga mungesa e shpresës dhe nga dëshpërimi për të mbjellë kaos në Tolën e Shenjtë. Nëse ky vizion del fitues, atëhere e ardhmja e rajonit do të jetë një terror pa fund, luftë pa fund dhe vuajtje pa fund.”


Deklaratat politike të dy udhëheqësve nënvizonin vështirësinë e detyrës që do të kenë përpara tyre negociatorët.

Presidenti Abbas tha se palestinezët do të ngulin këmbë për ta patur kryeqytetin e shtetit të tyre në Jeruzalemin Lindor, të cilin Izraeli e pushtoi në luftën e vitit 1967, dhe do të kërkojnë një zgjidhje të përgjithshme të problemit të refugjatëve palestinezë.

Duke folur përmes një përkthyesi, zoti Abbas u premtoi palestinezëve një marrëveshje për paqe që t’u japë atyre pavarësi dhe vetvendosje si dhe t’i verë ata në kushte të barabarta me të gjithë popujt e botës:

"Secili prej jush ka dhimbjen e tij personale, tragjedinë personale si rrjedhojë e viteve të tragjedisë dhe të pushtimit. Këto janë vite dhumë të dhimbëshme. Mos u dëshpëroni, mos humbni besimin dhe shpresën sepse sot e gjithë bota po zgjat dorën në drejtimin tonë për të na ndihmuar që t’i japim fund tragjedisë sonë, holokaustit tonë, i cili ka vazhduar tepër gjatë."


Kryeministri Olmert, gjithashtu përmes një përkthyeseje, tha se Izraeli nuk është i pandjeshëm ndaj tragjedive që kanë kaluar palestinezët dhe se negociatat e ardhëshme do të çojnë në kuadrin duhur për zgjidhjen e çështjes së refugjatëve si dhe të të gjitha çështjeve që lidhen me procesin e paqes:

"Negociatat do të merren me të gjitha çështjet të cilave deri më sot ne u jemi shmangur. Ne do ta bëjmë këtë drejtpërsëdrejti, hapur dhe me guxim. Ne nuk do t’i shmangemi ndonjë subjekti. Ne do të merremi me të gjitha çështjetg thelbësore. Jam i bindur se realiteti që u krijua në rajonin tonë në vitin 1967 do të ndryshojë ndjeshëm. Ky do të jetë një proces jashtëzakonisht i vështirë për shumë prej nesh por ai është megjithatë i pashmangshëm."


Në koneferencë morën pjesë shumë vende arabe, mes tyre Arabia Saudite dhe Siria, të cilat nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Zoti Olmert u bëri thirrje atyre të mos rrinë duarkryq duke parë trenin e paqes që po u kalon pranë dhe t’i japin funnd bojkotimit të Izraelit.

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Saud al-Faisal, një nga pjesmarrësit kryesorë në konferencë, duartrokiti në shenjë mirësjelljeje për komentet e zotit Olmert, megjithëse një ndihmës i tij tha se ministri saudit nuk do të shtrëngojë duart me delegatët izraelitë pasi merrte pjesë në konferencë për arësye thelbësore e jo për “gjeste teatrale." //ii

XS
SM
MD
LG