Lidhje

Alban Dafa, shqiptari që studjon në Akademinë Ushtarake të Anapolisit


Akademia e Marinës në Anapolis të Merilendit është një nga institucionet historike më të njohura në Shtetet e Bashkuara. Oficerët e dalë nga kjo Akademi përbëjnë elitën e marinës amerikane. Këtë vit për herë të parë ndonjëherë, në radhët e këtyre të rinjve të përzgjedhur ka hyrë edhe një student nga Shqipëria. Ai është kadeti i vitit të parë, Alban Dafa:

E krijuar në vitin 1845, Akademia e Marinës është nga institucionet më prestigjioze arsimore këtu në Shtetet e Bashkuara. 73 mijë studentë kanë hyrë në dyert e kësaj akademie që nga krijimi.

...Alban Dafës i dukej e vështirë ta besonte se një ditë do të ishte njëri prej tyre. Por ai thotë se pikërisht fakti që Akademia të bën të shikosh se gjer ku mund të arrish dhe të shtyn t’i kapërcesh edhe limitet që mendon se ke, është një nga aspektet që e bënë atë interesante në sytë e tij.

“Kur lexoja për Akademinë, kjo ishte një nga gjërat që më tërhoqi më shumë, krahas aspekteve të tjera, që kanë të bëjnë me trajnimin dhe të qenurit e një shkolle mjaft me famë dhe prestigjioze”,- thotë ai.

19 vjeçari Dafa tregon se shumë vite më parë, kur ishte fëmijë kishte dëgjuar të atin, ushtarak marine, që t’i fliste për këtë Akademi të vëllait, por në vit të tretë të shkollës së mesme vendosi të bënte kërkesë vetë për t’u pranuar, me shpresën që më pas të studiojë edhe për shkenca politike në Amerikë.

Megjithëse Albani i është nënshtruar jo vetëm provimit për përgatitjen akademike, por edhe për atë fizike dhe morale, ai e sheh futjen në Akademi me modesti.

“Mendoj se përgjithësisht në çdo vend nëqoftëse punon dhe nëqoftëse bën me të vërtetë atë që dëshiron dhe nëqoftëse lufton për atë që do, do të kesh sukses. Nuk ka shumë rëndësi nëse ka njerëz të tjerë që konkurrojnë. Konkurrenca është diçka që të nxit më shumë për të punuar”, - thotë ai.

Dhe konkurrenca nuk ka qenë e vogël për të qenë një nga 1220 studentët e rinj që filluan studimet këtë vit. Në këtë institucion kaq përzgjedhës vetëm 11 studentë nga e gjithë bota filluan këtë vit studimet. Alban Dafa është njëri prej tyre dhe i pari që përfaqëson Shqipërinë në këtë Akademi.

“Është një nder i madh që je i pari nga Shqipëria që ke ardhur këtu. Dhe është nder që të përfaqësosh vendin tënd në një institucion kaq të rëndësishëm”.

Drejtori i Programit Ndërkombëtar në Akademi, Tim Disher, thotë se aktualisht aty studjojnë gjithsej 48 studentë të huaj. Po ashtu pjesë e angazhimit ndërkombëtar, janë edhe këmbimet e studentëve dhe programet verore.

“Synimi është që ne të kuptojmë perspektivat e ndryshme të komunitetit ndërkombëtar dhe që të mund të krijojmë marrëdhënie me këto vende dhe këta oficerë dhe udhëheqës të ardhshëm të këtyre vendeve dhe ne presim që të komunikojmë dhe punojmë me ta në të ardhmen. Kështu, studentët tanë që po krijojnë lidhje me studentin shqiptar, kur të dalin nga shkolla dhe të vihen në pozicione vendimmarrjeje, do ta kuptojnë më mirë sesi vendi tjetër i kupton gjërat”.

Zoti Disher, thotë se është ushtria e vendit që propozon emrat e kandidatëve të mundshëm për të hyrë në Akademinë e Marinës, në atë të ushtrisë në West Point dhe të Forcave Ajrore në West Point.

Synimi është, thotë ai, që ata të bëhet oficerët elitë në vendin e tyre me të cilët të punojnë Shtetet e Bashkuara. Alban Dafa duket i përgatitur për këtë.

“Para se të vija këtu kam firmosur një kontratë me shtetin shqiptar që duhet të shërbej për të paktën 6 vjet në forcat e armatosura të Shqipërisë. Jam plotësisht i përgatitur ta plotësoj atë kontratë. Pas mbarimit të Akademisë do të shkoj në Shqipëri dhe nuk e di, nuk jam akoma i sigurtë nëse do të vazhdoj një karrierë të gjatë ushtarake apo do ta ndërpres. Ajo do të varet nga ecuria ime, por minimalisht do t’i përmbahem kontratës sime dhe do të bëj çmos që t’i shërbej vendit tim”.

Ai ka besim tek të rinjtë e brezit të tij në Shqipëri dhe thotë se ata punojnë shumë.

Çështja është që mundësitë që atyre u ofron Shqipëria vërtet janë të pakta, por unë mendoj që edhe nëse ata shkojnë jashtë shtetit për t’u shkolluar, bravo u qoftë në një farë mënyre, por nuk duhet të harrojnë që Shqipëria është vendi i tyre dhe mendoj se çdo i ri i moshës sime që shkon jashtë shtetit duhet ta ndjejë për detyrë që të kthehet në vendin e tij dhe të shërbejë në vendin e tij”.

Tani për tani, Albani është i përqendruar që të jetë denjësisht pjesë e brezave të oficerëve që kanë dalë nga Akademia e Marinës. E megjithëse nuk mund ta thotë me siguri se ç’do të ndodhë më pas, ai e sheh të ardhmen me optimizëm.

XS
SM
MD
LG