Lidhje

Oketa: Besoj që opozita do të bashkëpunojë për reformën në drejtësi për hir të pranimit të vendit në NATO

  • Laura Konda

Në Shtetet e Bashkuara ndodhet për një vizitë zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Gazmend Oketa, për të marrë pjesë në festimet me rastin e 95 vjetorit të shpalljes se pavarësisë. Zëvendëskryeministri shqiptar ishte i ftuar në Zërin e Amerikës, ku ai dha një intervistë në programin televiziv “Ditari”:

Zëri i Amerikës: Zoti Oketa, Shqipëria ndodhet tani para një sfide, të shumëpritur, marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, gjatë takimit të nivelit të lartë të Bukureshtit, në prill të vitit të ardhshëm. Kohët e fundit zyrtarët e lartë të Natos i kanë bërë thirrje Shqipërisë të kryejë reformat e duhura. Në ç’fazë ndodhet zbatimi i reformave?

Gazmend Oketa: Është e vërtetë, pas vizitës së fundit të zonjës Newland në Shqipëri, le të themi, që na janë lënë disa “detyra shtëpie” për të bërë, të cilat kanë kryesisht të bëjnë me reformat në drejtësi dhe reformat për sistemin zgjedhor. Për fat të mirë, njëra nga pikat u realizua shumë shpejt, pika që kishte të bënte me zgjedhjen e prokurorit të ri; tashmë Shqipëria ka një zonjë prokurore, e cila, besojmë dhe shpresojmë që do të japë kontributin e saj për të çuar përpara reformën në drejtësi. Nga ana tjetër, në funksion të reformës elektorale, kanë filluar me përparësi proçedurat për pajisjen e shqiptarëve me karta të identitetit, me pashporta biometrike; në mes të vitit të ardhshëm, përfundon regjistri elektronik i gjendjes civile, si dhe sistemi i adresave. Të gjitha këto do të bëjnë, që në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët të jenë të pajisur me karta identiteti dhe të mos ketë më debate të kota lidhur me listat e votuesve.

Zëri i Amerikës: Të qëndrojmë pak tek çështja e reformës në drejtësi, përveç zgjidhjes së çështjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Për shkak të përplasjeve pozitë-opozitë, kjo reformë ka mbetur në vend. A jeni ju i shqetësuar për realizimin e kësaj reforme, në kushtet kur ka mbetur pak kohë deri në muajin prill?

Gazmend Oketa: Natyrisht që ne jemi të shqetësuar, por unë besoj, dhe dua të jem optimist, se po aq e shqetësuar duhet të jetë edhe opozita shqiptare. E them këtë për faktin, se përsa i takon prioriteteve dhe të politikës së jashtme, çështja e Kosovës, anëtarësimi në NATO, në BE, qëndrimi i opozitës dhe i maxhorancës është i njëjtë. Kështu, reforma e drejtësisë, është në funksion të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO dhe besoj që opozita do ta marrë në konsideratë këtë fakt dhe do të jetë një opozitë bashkëpunuese, në mënyrë që Shqipërisë t’i mundësohet marrja e ftesës në samitin e ardhshëm të Bukureshtit.

Zëri i Amerikës: Lidhur me reformën elektorale. Për të është ngritur edhe një komision parlamentar, mandati i të cilit përfundon në dhjetor. Sa e efektshme ka qenë puna e këtij komisioni?

Gazmend Oketa: Ky është një komision parlamentar, i cili nuk mund të them se ka funskionuar mirë. Nuk është se mund të themi se ka mirëfunksionuar, apo që është mbledhur në mënyrë sistematike, por gjithësesi, besoj se koha është e mjaftueshme, pasi nuk besoj që në sistemin zgjedhor do të ketë ndërhyrje, apo ndryshime radikale. Sistemi zgjedhor që ne kemi aktualisht, është një sistem, i cili vlerësohet dhe që kërkon minimalisht eliminimin e sistemit të Dushkut. Në momentin që eliminohet ky fenomen, çështjet e tjera janë të teknikalitetit, siç është debati për ngritjen e pragut elektoral. Por, mendoj se koha është e mjaftueshme. Komisionit, ne si qeveri do t’i vemë në dispozicion të gjitha burimet tona të mundshme, qoftë financiare, qoftë ekspertë vendas, apo të huaj.

Zëri i Amerikës: Me ardhjen e saj në pushtet, qeveria juaj formuloi dhe miratoi një sistem ligjesh dhe rregullash për të luftuar korrupsionin, dhe nje prej tyre ishte edhe ai i prokurimeve publike. Si ka ecur zbatimi i këtyre ligjeve?

Gazmend Oketa: Është e vertetë, se që nga janari i vitit 2007, ne kemi një ligj të ri të prokurimeve publike, i cili tenton t’i bëjë më traspararente proçedurat e prokurimeve publike. Rezultatet e këtij ligji, janë tepër pozitive, kostoja e investimeve publike ka rënë me mesatarisht 25 për qind, është rritur ndjeshëm numri i firmave pjesëmarrëse në tender; faqja zyrtare e prokurimeve publike njeh çdo muaj një rritje të numrit të kompanive, të cilat shkarkojnë dokumentet e tenderave nga kjo faqe. Ecuri është tejet poztive dhe unë ka kënaqësinë t’ju bëj me dije nga studjo juaj, që në fillim të dhjetorit ne fillojmë edhe prokurimin elektronik “On Line”, që do të thotë, se kompanitë nuk do të kenë më nevojë të mbushin dokumentat pa fund dhe të jenë prezent në institucionet tona, por nga zyrat e tyre, do të plotësojnë në mënyrë elektronike dokumentat e tyre, duke ruajtur tërësisht sekretin, ndërsa hapja e këtyre ofertave bëhet në të njëjtën kohë për të gjitha firmat.

Zëri i Amerikës: Lidhur me klimën e investimeve në Shqipëri, kohët e fundit Banka Botërore ka botuar raportin e përvitshëm “Doing Business” ku krahasuar me vende të tjera, Shqipëria nuk ka bërë përparimin e duhur në disa elementë të nevojshëm të zhvillimit të biznesit. Çfarë masash po merr qeveria për krijimin e një klime të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për zhvillimin e biznesit në vend?

Gazmend Oketa: Qeveria shqiptare, gjatë këtyre dy viteve, ka qenë tërësisht e fokusuar në krijimin e një klime të favorshme, përsa i përket biznesit, qoftë vendas, apo të huaj.

Zëri i Amerikës: Unë mund t’ju lexoj disa shifra. Mes 178 vendeve të përfshira në raport, Shqipëria ze vendin e 165 përsa i përket kushteve për mbrojtjen e investitorëve të huaj dha atë të 136, përsa i përket lehtësisë së zhvillimit të biznesit... Gazmen Oketa: Unë mund t’i referohem një të dhëne tjetër. Janë indikatorët që përdor “Millenium Challenge Corporation”, kur bën klasifikimin, apo ndjek ecurinë e vendeve që janë në programet e kësaj korporate. Në se shohim indikatorët e publikuar pak javë më parë, përsa i takon lirisë ekonomike, të gjithë indikatorët janë plotësuar dhe për këtë arsye, duke ndjekur edhe ecurinë e indikatorëve të tjerë, ne si qeveri duhet t’i adresohemi të gjithë institucioneve të cilat publikojnë këto të dhëna, që mundësisht, para se të bëhen publike, të na kontaktojnë; ne të mund t’i japim të dhënat tona, në mënyrë që ato të nxjerrin një konkluzion sa më të saktë. Me këtë unë nuk dua të them se situata është tërësisht rozë, por siç thashë edhe pak më parë, gjatë këtyre dy viteve, vëmedja kryesore ka qenë e përqëndruar tek klima për bisnesin, duke filluar që nga përgjysmimi i taksës për biznesin e vogël, reduktimin e taksës së të ardhurave personale dhe tatim fitimin; më 1 janar të vitit 2008 ne fillojmë me një taksë të sheshtë prej 10 për qind. Nga ana tjetër, ne kemi bërë të mundur hapjen e një biznesi të ri në një ditë të vetme, në një sportel të vetëm dhe vetëm me më pak se sa një Euro. Po kështu, siç thashë për prokurimet publike, fillon prokurimi elektronik dhe nga tetori i 2007-ës ka filluar edhe shkarkimi elektronik i taksave dhe pagimi eklektronik i tyre për biznesin e madh. Të gjitha këto janë në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit. Nga ana tjetër, vitin e kaluar Shqipëria ka patur rreth 250 milionë Euro investime të huaja, ndërsa për vitin që vjen, parashikohet që kjo shifër të shkojë në 400 milionë Euro. Këto të dhëna bien, në një farë mënyre, ndesh me shifrat që ju përmendët.

XS
SM
MD
LG