Lidhje

Kosova pas përfundimit të bisedimeve


Përmbyllja e bisedimeve shtesë për statusin e Kosovës pa asnjë marrëveshje, nuk është pritur me habi në Kosovë ku askush nuk ka pritur ndonjë afrim qëndrimesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Çështja tash shtrohet çfarë do të bëhet më tej. Autoritetet vendase kanë përsëritur edhe sot qëndrimin se Kosova tash është para vendimeve të mëdha, të cilat do të merren në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Përmbyllja e bisedimeve e shoqëruar me pikëpyetjet për të ardhmen janë pasqyruar gjerësisht në mjetet e informimit, ndërsa analistët pohojnë se Kosova duhet të marrë veprimet e saj për të shpallur vendimin për pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Driton Lajci, ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe kolegjin Universitar të Merilandit që funksionin në kuadër të kampit të trupave amerikane në Kosovë Bondsteel thotë se qëndrimi i Rusisë nuk do të mundësojë zgjidhje në Këshillin e Sigurimit. Prandaj, Kosova në mes të vendimit për shpalljen e pavarësisë dhe mundësisë që të mbetet konflikt i ngrirë, duhet të zgjedhe të parën. Por ai nuk pret që ky vendim të merret gjatë këtij viti. “Këtë vit gjasat janë që të mos ketë, për shkak se tash bie edhe intensiteti i punëve dhe vetë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare do të drejtohen kah pushimet etj etj. Ndërsa fillimi i vitit 2008 është vit kur politika e Kosovës duhet të dinamizohet dhe të realizojë objektivat për çka është e ngarkuar dhe e deleguar aty”, thotë zoti Lajci.

Beogradi ka paralajmëruar kundër pavarësisë së Kosovës dhe se do të ndërmarrë veprime për të kundërshtuar atë, përfshirë edhe bllokimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Zoti Lajci thotë se janë disa aspekte të veprimit të mundshëm të Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës. “Është ai politikë, Serbia do të përpiqet që të bllokojë anëtarësimin apo bashkimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. ”Është ai ekonomik, që do të bllokojë depërtimin e mallrave në mënyrë që të krijojë edhe më tutje gjendje të rëndë ekonomike e sociale dhe të krijojë kushtet për ndonjë destabilizim, demonstratë apo revolta popullore dhe e treta është ai i sigurisë, nëpërmjet mekanizmave paralel, njerëzve civil të armatosur të cilët do të delegohen edhe më shumë në Kosovë për ta destabilizuar Kosovën”, thekson zoti Lajci.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë tërhequr vërejtjen se janë të përkushtuara për t’u përballur me çdo kërcënim që mund t’i vijë Kosovës qoftë nga jashtë apo brenda saj. Rreth 100 trupa amerikane janë vendosur sot në një kamp të KFOR-it në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Autoritetet thonë se ky është një veprim i planifikuar më herët dhe nuk ka të bëjë me afrimin e 10 dhjetorit kur përfundon procesi i drejtuar nga Grupi i Kontaktit, por vendosja e këtyre trupave për shumë kë është demonstrim i përgatitjeve të KFOR-it për të penguar ndonjë veprim të dhunshëm. Për të diskutuar këto çështje, nesër në Kosovë pritet të qëndrojë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Schefer. //rd//

XS
SM
MD
LG