Lidhje

Serbët e Bosnjes dakord për reformat zgjedhore


Udhëheqësit e serbëve të Bosnjes hoqën dorë nga kundërshtimet ndaj një pakete për reformën zgjedhore, duke shmangur këtu një krizë të rëndë politike.

Çështja, e cila ndezi polemika të ashpra, kishte të bënte me mënyrën e llogaritjes së kuorumit në parlament, për t’ua bërë më të vështirë deputetëve të tre komuniteteve etnike të bllokojnë vendimet thjesht duke mos u paraqitur në parlament.

Ndërmjetësi ndërkombëtar për Bosnjen, Mirosllav Lajçak, e vlerësoi marrëveshjen si një mesazh pozitiv që i dërgohet Europës nga boshnjakët. Ai ka kërkuar që të gjitha palët t’i miratojnë reformat deri më 1 dhjetor dhe ka kërcënuar se do t’i imponojë ato nëse palët nuk veprojnë kështu.

Udhëheqësit e serbëve të Bosnjes ishin shprehur me forcë kundër ndryshimeve që sipas tyre përbënin kërcënim ndaj autonomisë së Republikës Serbe të Bosnjes. Fakti që ata hoqën dorë nga kundërshtimet do të hapë rrugën për marrëdhënie më të ngushta mes Bosnjes dhe Bashkimit Europian. //rd//

XS
SM
MD
LG