Lidhje

Skefer bën thirrje për veprime të matura të udhëheqjes së Kosovës


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha sot në Prishtinë se forcat paqeruajtëse nuk do të lejojnë asnjë formë të dhunës në Kosovë, ndërsa bëri thirrje për veprime të matura të udhëheqësve politikë. Ai i bëri këto komente pas takimeve me udhëheqësit e shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, duke theksuar se procesi politik për zgjidhjen e statusit po i afrohet fundit.

Por tash duhet pritur vizitën e treshes së grupit të Kontaktit në rajon, raportin që do t'i dorëzohet sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe debateve që priten për këtë çështje në këshillin e Sigurimit, tha ai. “Gjatë asaj kohe të ndjeshme dhe tashmë ne jemi në këtë periudhë të ndjeshme, çështja kryesore është udhëheqja e përgjegjshme politike. Në çfarëdo skenari, është me rëndësi që të gjithë udhëheqësit e Kosovës qoftë të shumicës apo pakicës të tregohen politikanë të matur dhe të përgjegjshëm në kuptimin që të mos thonë apo bëjnë çfarëdo që mund të jetë arsye por mendime të gabuara”. Kjo porosi tha ai vlen për Prishtinën aq sa vlen edhe për Beogradin.

Zoti Scheffer tha se forcat paqeruajtëse janë në Kosovë dhe do të mbeten këtu për të mbrojtur të gjithë qytetarët e saj dhe për të mos lejuar asnjë akt dhune. “Dhuna nuk është një mundësi. Ajo kurrë nuk sjellë zgjidhje politike dhe nuk do të lejohet”. KFOR-i do të punojë ngushtë me Misionin e Kombeve të Bashkuara dhe policinë e Kosovës për të krijuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, tha ai. “Gjenerali de Marnhac i ka të gjitha forcat që i duhen dhe nëse ka nevojë për të tjera do t'i ketë”, tha zoti Shechefer, duke i shprehur mbështetjen e plotë komandantit të KFOR-it Xavier Bout de Marnhac. Ky i fundit tha se KFOR-i është duke përmbushur misionin e tij në tërë Kosovën përfshirë edhe veriun e saj të banuar me shumicë serbe.

Në një kamp të KFOR-it në këtë zonë dje janë vendosur rreth 100 trupa amerikanë të cilët u janë bashkuara trupave franceze që kontrollojnë sektorin e veriut. Gjenerali De Marnhac tha se vendosja e këtyre trupave nuk ka të bëjë më zhvillimet aktuale politike dhe shqetësimet për tensione të veri në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Të dy zyrtarët e NATO-s thanë se Aleanca është e përkushtuar ndaj misionit të saj në Kosovë dhe kjo çështje do të jetë temë debatesh edhe në takimin e radhës të ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s që do të mbahet të premten në Bruksel.

Rreth 16 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe sipas zyrtarëve të aleancës ky numër do të mbetet i pandryshuar të paktën deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Afrimi i fundit të këtij procesi ka shtuar shqetësimet për tensione politike për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta ndërmjet serbëve që kërkojnë ruajtjen e sovranitetit të Beogradit mbi Kosovën dhe shqiptarëve që kërkojnë pavarësi të plotë. //RD//

XS
SM
MD
LG