Lidhje

Evropa Lindore - numri më i madh i viktimave nga Sida në kontinent


Numri i rasteve me HIV dhe Sida në Evropë nuk është në ato përmasa si në Afrikë, por gjithsesi mbetet një problem serioz dhe vazhdon të rritet pavarësisht nga fushatatat e ndërgjegjësimit. Evropa Lindore vazhdon të ketë numrin më të madh të viktimave në kontinent:

Sipas raportit të fundit të OKB-së për Sidën, rreth 740 mijë vetë jetojnë me virusin HIV, ose me Sida në Evropën perëndimore dhe qendrore. Rreth 1.5 milionë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore janë të infektuar. Këto shifra janë shqetësuese.

Një nga arsyet është edhe fakti që numri i rasteve me HIV ose Sida ka vazhduar të rritet, pavarësisht nga vite fushatash parandalimi. Rasti i Evropës Lindore e ilustron më së miri këtë dukuri. Numri i rasteve të njohuar me HIV është rritur 150 për qind që nga viti 2001.

Në vende si Serbia, nuk është e qartë se sa vetë janë prekur nga virusi. Dragana Stojanoviç, zëdhënëse e organizatës rinore serbe për Sidën, Jazas thotë se sipas shifrave zyrtare vetëm 1 mijë e 500 vetë kanë HIV ose Sidë në vend. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i të prekurve nga HIV-i është 25 mijë.

“Aktualisht, numri më i madh i njerëzve që kanë virusin HIV është mes përdoruesve të drogës dhe burrave homoseksualë”.

Shifrat e ulëta në Serbi kanë të bëjnë edhe me faktin se pak prej tyre kanë bërë analiza për të zbuluar nëse e kanë virusin. Deri kohët e fundit analiza paguhej dhe nuk ishte konfidenciale.

Serbia nuk është i vetmi vend ku numri i atyre që kanë bërë analizën është i ulët. Sipas sondazhve të fundit, më shumë se gjysma e atyre që kanë virusin HIV në Evropë, nuk e di që është e prekur. Në një konferencë në Bruksel për Sidën në Evropë që u mbajt këtë javë, ekspertët bënë apel për një analizë më të hershme për t’iu kundërvënë ritmeve të infektimit. Organizata botërore e Shëndetësisë njoftoi se në rajonin evropian në vitin 2006 pati 87 mijë raste të reja infektimesh.

Pas vitesh me fushata parandalimi dhe ndërgjegjësimi, duket befasi që rastet e të infektuarve në Evropë po rriten. Ja ç’thotë Komisioneri Evropian për Shëndetësinë Markos Kyprianou:

“Mendoj se problemi kryesor me Sidën është naiviteti ynë në drejtim të kësaj sëmundjeje. Ne menduam se arritëm ta vëmë nën kontroll dhe lejuam që ajo të bëhet një sëmundje e harruar. Për këtë arsye, për Bashkimin Evropian motoja kryesore për ta luftuar atë, është për ta kujtuar. Sepse ne dimë shumë aspekte teknike dhe shkencore të këtij problemi, por duhet t’u kujtojmë njerëzve se ende ekziston”.

Ekspertët thonë se sot në Evropë njerëzit kanë rënë në një si farë qetësie, sepse e dinë se nuk do të vdesin nëse marrin virusin, falë ilaçeve të reja prapavepruese. Dhe një brez i ri evropianësh po rritet pa pranine e mesazheve të fushatave më të bujshme për parandalimin e Sidës që u ndërmorën në vitet 1980 dhe 1990.

Miriam Hagebolling thotë se kështu ka ndodhur në Gjermani, megjithëse në vend ka vetëm 59 mijë vetë të prekur nga virusi, një nga shifrat më të ulëta në Evropën Perëndimore. Hagebolling është koordinatore për Aksionin kundër Sidës në Gjermani, një grup organizatash joqeveritare.

“Veçanërisht mes të rinjve, ekziston një si farë lodhjeje me mesazhin kundër Sidës. Njerëzit thonë se ajo po prek homoseksualët dhe përdoruesit e drogës, por jo ata vetë”.

Franca, një nga vendet me numrin më të madh të infektimeve në Evropë po përballet me të njëjtin problem, thotë Emmanuel Chateau, bashkë-president i organizatës franceze Kundërvepro Paris:

“Ishte një gabim të mendohej se epidemia po prekte vetëm grupet që ishin më të ekspozuara ndaj rrezikut. Ka edhe heteroseksualë që kryejnë marrëdhënie me njerëz të të njëjtit seks dhe përdorues droge që po ashtu kryejnë marrëdhënie. Kështu që ishte gabim të mendohej se ka të bëjë vetëm me një pjesë të popullsisë”.

Megjithatë ka edhe arsye për optimizëm. Në disa pjesë të Evropës Lindore ka pasur një sukses të dukshëm në luftën kundër virusit. Një nga rastet është Rusia, ku janë rritur në mënyrë masive fondet e buxhetit kombëtar për trajtimin e HIV-it dhe Sidës, si edhe është ngritur një komision qeveritar për luftën kundër HIV-it nën kujdesin e Presidentit Putin.

Gjendja nuk është kudo njëlloj. Në shkallë globale, përpapja e HIV-it është frenuar, duke pasqyruar përpjekje më të mira për të parandaliar, vëzhguar dhe luftuar epideminë. Megjithatë si në Evropë, edhe në zona të tjera të botës lufta kundër Sidës mbetet një sfidë e madhe. //kk//

XS
SM
MD
LG