Lidhje

Statusi i Kosovës në qendër të komenteve të diplomacisë evropiane


Me afrimin e afatit të 10 dhjetorit për dorëzimin e raportit të treshes ndërkombëtare tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, diplomatët e lartë ndërkombëtarë, megjithëse pothuajse fare pa shpresa, po bëjnë thirrjet e fundit për një bashkëpunim mes Prishtinës dhe Beogradit. Në komente të bëra në vende të ndryshme të Evropës, zyrtarët bënë gjithashtu thirrje për përmbajtje.

Të premten në mbrëmje në Vienë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer, përsëriti angazhimin e aleancës për sigurinë në Kosovë, që e shprehu edhe gjatë vizitës atje.

“Duhet të jetë shumë e qartë se angazhimi i NATO-s për të garantuar sigurinë në Kosovë nuk do të përfundojë më 10 dhjetor. NATO-ja do të jetë aty edhe më 11 dhjetor, më 12 dhe përsa kohë të jetë e nevojshme dhe do të vazhdojë të jetë një prani kritike për ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajon në këtë periudhë pasigurie”.

Zoti Sheffer i bëri komentet në një konferencë për Kosovën.

“Si Prishtina, ashtu edhe Beogradi duhet ta kuptojnë se në fund të fundit suksesi i dialogut të tyre nuk është thelbësor vetëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe për integrimin e gjithë rajonit të Ballkanit me pjesën tjetër të Evropës”.

Edhe ministrja e jashtme e Austrisë, Ursula Plasnik paraqiti pikëpamjen e vendit të saj:

“Ne duam që Kosova të jetë strehë për të gjithë kosovarët, që ata të jenë në gjendje të jetojnë atje me dinjitet, siguri dhe respekt”.

Po të premten në Berlin, Ministri i Jashtëm Gjerman Frank Walter Steinmeier e pranoi se ka pak shpresa për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve për statusin e Kosovës dhe bëri thirrje për ruajtjen e gjendjes së sigurisë pas 10 dhjetorit:

“Kemi edhe 10 ditë në dispozicion. Sigurisht që ne nuk kemi iluzione. Pothuajse nuk ka më asnjë shpresë për një zgjidhje përmes negociatash. Tani duhet të përqendrohemi që ta mbajmë situatën pas 10 dhjetorit nën kontroll sa më shumë të jetë e mundur dhe për të shmangur përshkallëzimin dhe dhunën në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Në një tjetër kryeqytet evropian, në Madrid, Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë tha se kishte bërë përparim në diskutimet për zgjatjen e mandatit të misionit të saj në Kosovë, por nuk u mor ndonjë vendim përfundimtar për shkak të pasigurisë për statusin. Nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns komentoi për këtë çështje:

“Pjesa dërrmuese e vendeve (anëtare) besojnë se OSBE-së, ashtu si edhe NATO-s dhe Bashkimit Evropian i takon që të jetë në krah të popullit të Kosovës dhe jo ta braktisin atë”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duan që organizata të rinovojë mandatin e saj të qëndrimit në Kosovë, që përfundon vitin e ardhshëm, pavarësisht se cili do të jetë statusi i saj.

Po dje presidenti francez Nikolas Sarkozi tha se Franca do të mbështesë pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se shpreson që kjo do të ndodhë në momentin e duhur. Ai i bëri komentet në Nisë në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin italian Romano Prodi. Udhëheqësi francez u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës të mos ndërmarrin hapa të shpejtuara duke deklaruar shpalljen e pavarësisë.

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, senatorja Hillary Clinton, kandidate demokrate për presidente tha në një deklaratë për shtyp se në rast se qeveria e Prishtinës vendos të shpallë pavarësinë, Shtetet e Bashkuara duhet ta njohin atë menjëherë. Zonja Clinton i bën thirrje Bashkimit Europian të veprojë në të njëjtën mënyrë.//kk//

XS
SM
MD
LG