Lidhje

Rusia dhe zgjedhjet e 2 dhjetorit - çfarë presin analistët


Rusët do t’u drejtohen të dielën kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare të vendit. Megjithëse Presidenti Vladimir Putin ngul këmbë se zgjedhjet do të jenë të hapura dhe të ndershme, kritikët akuzojnë Kremlinin për manipulim të fushatës zgjedhore.

Analistët thonë se ka pak dyshime se kush do t’i fitojë zgjedhjet për Dumën e Rusisë. Anketat e fundit tregojnë se 62 deri në 67 përqind e votuesve mbështesin partinë “Rusia e Bashkuar”, kandidatët e së cilës kryesohen nga presidenti Vladimir Putin. Rivalja më e afërt, Partia Komuniste, pritet të marrë rreth 14 përqind.

Por megjithë fitoren e siguruar, mediat ruse dhe organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International, njoftojnë se qeveria ruse vazhdon të provokojë partitë e opozitës. Ata thonë se policia ruse disa herë ka prishur mitingjet e tyre dhe ka arrestuar udhëheqës kryesorë të opozitës. Kremlini dominon valët e të gjitha kanaleve kryesore televizive të vendit dhe ka kontroll mbi të gjithë ata që mund të kandidojnë për poste.

Qeveria e shkurtoi mjaft numrin e vëshguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet dhe më pas nuk u dha atyre viza. Kjo e detyroi OSBE-në që të anulonte planet për vëzhgimin e zgjedhjeve të së dielës. Celeste Wallander e Universitetit Georgetown në Uashington thotë se votimet në Rusi do të jenë më shumë “përzgjedhje” se sa “zgjedhje”: "Rusia është një rast i qartë në të cilin udhëheqja ka arritur ta ndajë mbajtjen e zgjedhjeve nga qëllimi i zgjedhjeve, që është t’u jepen votuesve alternativa reale dhe që udhëheqësit të bëhen të përgjegjshëm". Wallander thotë se qeveria e ka krijuar partinë “Rusia e Bashkuar” si një mekanizëm për të siguruar vazhdimin e kontrollit të plotë politik në vend.

Kremlinit i nevojitet një shumicë dërrmuese në parlament për të arritur qëllimin e tij, thotë Wallander:"Me 70 përqind të vendeve në parlament “Rusia e Bashkuar” do të kishte shumicën dërrmuese e cila mund të ndryshojë Kushtetutën dhe mund të bëjë ç’të dojë".

Analisti David Satter thotë se udhëheqësit politikë të Rusisë kanë gjithashtu në dorë kompanitë kryesore private të vendit. Sipas zotit Satter, ish korrespondent në Moskë, konfliktet mes atyre që bashkojnë pushtetin politik me atë ekonomik janë të pashmangëshme. "Në bazë të sistemit të tanishëm, ka vetëm një njeri që mund të ndërmjetësojë këto konflikte dhe ky është Vladimir Putini. Në këtë kuptim, ai qendron në majën e një piramide tepër të paqendrueshme, të përbërë nga njerëz që në shumë raste e urrejnë njëri-tjetrin, jo vetëm në aspektin politik por edhe në aspektin e përplasjeve të pashmangëshme si rrjedhojë e konkurrencës për para dhe pushtet. Ai është i vetmi që mund t’i mbajë ata bashkë".

Do të duhej një ndryshim i Kushtetutës në mënyrë që zoti Putin të mund të kërkojë një mandat të tretë në postin e presidentitg të vendit. Wallander thotë se sistemi politik i zotit Putin funksionon kryesisht përmes korrupsionit dhe patronazhit, ku udhëheqësi i Kremlinit është padroni kryesor. Një president i ndryshëm do të ishte shkatërrim politik dhe ekonomik për krejt administratën në fuqi, thotë Wallander: "Nëse dikush nga bashkëpunëtorët e zotit Putin fiton dhe bëhet president, të gjithë të tjerët humbasin. Sepse padroni i ri e ndërton pushtetin politik në mënyrë të tillë që të gjithë miqtë dhe klientët e tij të përfitojnë pushtet".

Wallander thotë se frika e humbjes së pushtetit është pikërisht shkaku i gjuhës gjithnjë e më ekstreme që po dëgjohet nga Kremlini. Para pak ditësh, zoti Putin e paralajmëroi Perëndimin që të mos fusë hundët në punët e Rusisë. Gjatë javës, ai e përsëriti paralajmërimin e tij ndaj vendeve të huaja, ndërsa para kësaj akuzoi opozitën se po bashkëpunonte me ambasadat e huaja për ta bërë Rusinë një shtet të dobët dhe të sëmurë, një shoqëri të çorientuar e të përçarë.

Zoti Putin ka një mbështetje në anketa prej më se 70 përqind dhe gëzon popullaritet të vërtetë mes rusëve, të cilët i njohin meritën se u ka përmirësuar nivelin e jetesës. Por, thonë analistët, këto përmirësime janë arritur si rrjedhojë e rritjes dramatike të të ardhurave nga nafta dhe jo përmes reformave të domosdoshme ekonomike. //rd//

XS
SM
MD
LG