Lidhje

Tensionet Irak-Turqi: Bisedimet për kompromis duken jo-realiste


Turqia vazhdon të grumbullojë dhjetra mijëra ushtarë në kufirin irakian, si përgjigje ndaj një numri sulmesh nga ana e militantëve kurdë, që kanë shkaktuar vdekjen e më tepër se 50 ushtarëve dhe civilëve. Forcat rebele të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, shumica e tyre me bazë në Irak, ka 20 vjet që luftojnë kundër Turqisë për të siguruar autonominë. Por, siç njofton korrespondenti ynë Dorian Jones nga Stambolli, një ndërhyrje e mundshme ushtarake e Turqisë, nuk drejtohet thjeshtë ndaj PKK-së.

Tanket turke vazhdojnë përparimin drejt kufirit irakian, duke ju bashkuar rreth 100 mijë ushtarëve, me mbështetjen e helikopterëve dhe avionëve luftarakë. Ky ka qenë grumbullimi më i madh i forcave nga ana e Turqisë që nga viti 1997, kur 200 mijë ushtarë u përfshinë në operacione kundër bazave të PKK-së në Irak. Por efektshëria e ndërhyrjeve të tilla brenda territorit irakian është në pikëpyetje.

Megjithë inkursionet e shumta në rajonin kufitar malor, gjatë 20 vjetëve të fundit, ish gjeneralë turq dhe analistë thonë se operacionet kanë patur vetëm sukses të kufizuar.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Soli Ozel, në Universitetin e Stambollit, thotë se çdo operacion ushtarak do të ketë objektiva në shkallë më të gjerë, se sa thjesht lufta kundër PKK-së. "PKK është vetëm një aspekt i kësaj lufte, aspekti tjetër është popullsia kurde në Irakun verior dhe qëndrimi Barzanit, por edhe më e rëndësishme, është çështja e Kirkukut".

Masud Barzani është president i krahinës gjysmë-autonome kurde të Irakut, ku ndodhen një numër i madh bazash të PKK-së. Ankaraja vazhdimisht e ka akuzuar zotin Barzani se mbështet jo vetëm indirekt, por edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, separatistët, në kuadrin e një të ashtuajture strategjie për ta përdorur PKK-në për synimin e tij të krijimit të një shteti të pavarur kurd, një ide që Turqia e kundërshton.

Zoti Barzani i mohon me forcë këto akuza. Sipas gjeneralit turk në pension, Armagan Kuloglu, tani kreu i një instituti studimor, ajo që është e rëndësishme për krijimin e një shteti kurd, do të ishte kontrolli i qytetit të Kirkukut, të pasur në rezerva nafte. "Në se Kirkuku përfshihet në të, ky shtet do të fitonte një pushtet më të fortë ekonomik. Qëllimi i popullit kurd është krijimi i Kurdistanit të Madh. Dhe një territor i tillë përfshin një pjesë të territorit të Turqisë, të Iranit dhe Sirisë".

Sipas Kushtetutës së Irakut, Kirkuku duhet të mbajë një referendum në dhjetor, për të vendosur në se qyteti do t’i bashkohet rajonit gjysmë-autonom të Kurdistanit.

Shumica e analistëve parashikojnë se votimi do të jetë në favor, duke patur parasysh popullsinë e madhe kurde të qytetit. Por Ankaraja është përpjekur, edhe nëpëmjet verpimtarisë lobiste, për shtyrjen e referendumit për një kohë të pacaktuar.

Turqia kërkon një status të veçantë për Kirkukun, në mënyrë që popullsia turke e qytetit të jetë e mbrojtur. Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdohan, në një takim që pati kohët e fundit me Presidentin George Bush, e theksoi dhe një herë këtë çështje.

Zoti Barzani thotë se qyteti është kryeqyteti historik i kurdëve dhe në fillim të vitit paralajmëroi për pasoja serioze, në se Ankaraja ndërhyn. Ai thotë se Turqia nuk duhet të ndërhyjë tek çështja e Kirkukut, dhe në se bën një gjë të tillë, kurdët do të ndërhyjnë në Diabakir, qyteti më i madh, në rajonin me shumicë kurde në Turqinë juglindore.

Kërcënime të tilla, sipas analistëve, kanë nxitur nacionalizmin turk, me demonstrata kundër PKK-së, thuajse çdo ditë. Analistët thonë se zemërimi në shkallë të gjerë ndaj kurdëve të Irakut, po e detyron qeverinë të mbajë një qëndrim të prerë, megjithë thirrjet për përmbajtje nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Në kushtet kur trupat turke janë grumbulluar në kufirin irakian, bisedimet për kompromis dhe për një zgjidhje paqësore, tani për tani duken jo-realiste. Vëzhguesit thonë se qetësimi i tensioneve rajonale do të përfshijë jo vetëm qëndrimin ndaj PKK-së, por edhe zgjidhjen e çështjes edhe më serioze, atë të nacionalizimit kurd, dhe në veçanti, fatin e qytetit të Kirkukut në Irak. //rd//

XS
SM
MD
LG